Një skemë e gjerë mashtrimi e ngritur në Tiranë, e paraqitur si aktivitet investimesh online, dyshohet se ka zhvatut dhjetëra milionë euro nga qytetarë europianë, mes tyre edhe shumë grekë. Sipas versionit të autoriteteve dhe raportimeve të medias greke, hyrja në skemë niste me një depozitë relativisht të vogël, por presioni për transferta të tjera shtohej sapo viktimat bindeshin se po investonin në platforma të besueshme.

Hetim dyvjeçar dhe operacion në disa ambiente në Tiranë
Sipas materialit të bërë publik nga autoritetet ndërkombëtare, rrjeti u godit pas një hetimi të përbashkët mes autoriteteve austriake dhe shqiptare, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust. Prokurorëve, sipas të njëjtit version, u janë dashur rreth dy vite për të kuptuar mënyrën e funksionimit të skemës dhe për të ndërhyrë.
Në operacion u kontrolluan tre godina zyrash dhe nëntë banesa private në Tiranë. Nga këto kontrolle u sekuestruan 443 kompjuterë desktop, 6 laptopë, 238 telefona celularë, pajisje për ruajtjen e të dhënave dhe rreth 891 mijë euro, ndërsa të paktën 10 persona janë arrestuar si të dyshuar.
Si funksiononte mashtrimi me telefonata dhe platforma të rreme
Sipas hetimeve, viktimat kontaktoheshin nga numra që krijonin përshtypjen se telefonata vinte nga vende si Greqia, Belgjika apo Britania, edhe pse aktiviteti zhvillohej nga Tirana. Personat që telefononin prezantoheshin si përfaqësues të kompanive ndërkombëtare të investimeve dhe premtonin fitime të shpejta, sidomos në tregun e kriptomonedhave.
Në disa raste, sipas raportimeve, objektiv bëheshin edhe persona që kishin humbur para më herët në investime të ngjashme. Atyre u premtohej rikuperim i humbjeve dhe fitime shtesë, me synimin për t’i shtyrë drejt transfertave të reja në platforma që rezultonin të rreme.
Depozita prej 500 eurosh ishte vetëm hapi i parë
Mekanizmi, sipas të dhënave të hetimit, niste zakonisht me një shumë fillestare prej 500 eurosh, të depozituara në një portofol kriptomonedhash. Pasi krijohej besimi minimal, presioni për pagesa të tjera rritej dhe viktimat shtyheshin të transferonin shuma gjithnjë e më të mëdha.
Media greke Protothema ka raportuar se një pjesë e konsiderueshme e fitimeve të dyshuara, që përmenden në nivelin e rreth 50 milionë eurove, mund të jetë marrë nga qytetarë grekë. Megjithatë, autoritetet europiane nuk kanë dhënë ende një bilanc të plotë për numrin e saktë të viktimave.
Strukturë korporate, jo një mashtrim amator
Sipas hetimit, organizata nuk funksiononte si një grup i vogël informal, por si një strukturë e ndarë në nivele, me rreth 450 persona. Në bazë të kësaj skeme ishin agjentët ose “këshilltarët” e investimeve, të cilët kontaktonin viktimat dhe paguheshin me rrogë mujore, plus komisione për rastet e suksesshme.
Agjentët punonin në ekipe prej 6 deri në 8 personash, të ndara sipas gjuhëve, mes tyre anglisht, gjermanisht, italisht, spanjisht dhe greqisht. Çdo ekip kishte mbikëqyrës dhe zinxhir raportimi deri te drejtuesit e qendrave të thirrjeve, një model që sipas autoriteteve e bëri rrjetin më efikas dhe më të vështirë për t’u zbuluar për vite me radhë.
Rasti po paraqitet nga autoritetet ndërkombëtare si një shembull i mënyrës se si krimi i organizuar mund të kopjojë format e biznesit të ligjshëm dhe të veprojë me efikasitet industrial.
Përtej shifrave të sekuestruara dhe arrestimeve të deritanishme, mbeten ende pa përgjigje të plota sa persona janë dëmtuar realisht, sa para janë humbur dhe si një aktivitet i tillë arriti të operojë kaq gjatë nga Tirana pa u goditur më herët.
