Nga Enton Palushi
Kur nisi izolimi nga koronavirusi i ri në Angli, një nga drejtuesit e lartë të policisë u shkroi një letër forcave të rendit duke i paralajmëruar se sjellja e tyre gjatë kësaj kohe do të gjykohej nga historia.
Shqetësimi më i madh i tij, por edhe i medies dhe opinionit publik, ishte ‘zelli i tepruar’ me të cilin policët do e marrin përsipër misionin. Në fakt, sa herë kufizohen liritë dhe demokracia është në rrezik, problemi i madh është ‘zelli i tepruar’ i atyre që zbatojnë urdhrat nga lart.
Kur britanikët janë të shqetësuar, shqiptarët duhet të jenë shumëfish më të terrorizuar. Se sa i frikshëm është ‘zelli i tepruar’, shqiptarët e panë mirë gjatë kësaj kohe në shumë raste: atëherë kur policët dhunuan barbarisht një adoleshent, kur një mjek në Berat u rrah nga një kryepolic, në rastin e atij stomatologut, në rastin e çiftit nga Durrësi që e plasën në qeli për tre ditë me vajzën 7-vjeçare vetëm në shtëpi, dhe në shumë video të tjera të dhunshme që kanë qarkulluar në medien sociale dhe që tregojnë vetëm majën e ajsbergut të abuzimeve.
Kulmi arriti kur policia i vuri shqelmin në fyt protestuesve që dolën në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, aq sa një gazetë gjermane i krahason me komandot e Vermahtit të Hitlerit.
Në të gjitha rastet, policia është justifikuar duke thënë se po e bën këtë gjë për të mirën tonë, sepse duhet të ruhemi nga koronavirusi i ri. Pikërisht këtu është thelbi i problemit që ka kapluar vendin tonë për qafe në mënyrë të rrezikshme.
***
Kur mendjet më të zgjuara në kontinent nisën të ngrenë shqetësimin se demokracia është në rrezik nga kriza e koronavirusit, sigurisht nuk po bënin shaka. As kur ngritën alarmin se kjo periudhë autokracie do lërë pasoja edhe pasi të kalojë kriza sanitare, nuk po ia fusnin kot. Dhe ku më shumë se në Shqipëri nuk godet më fort ‘dallga’ e shkeljes së shtetit ligjor. Rasti i Teatrit Kombëtar e tregoi qartë se kriza e koronavirusit u përdor për qëllime të errëta në kurriz të demokracisë dhe shtetit ligjor.
Por paralelisht me shqetësimet për të drejtat themelore, në mediet perëndimore ka nisur të qarkullojë një term: licencim moral. BBC i kushton një analizë, duke theksuar se: “Liderët, veçanërisht në kohën e një krize si kjo aktualja, punojnë fort për atë që e perceptojnë si e mira e përbashkët. Ata përpiqen që të mbajnë njerëzit të shëndetshëm në një pandemi ose që të sigurojnë të ardhmen e organizatës së tyre. Psikologjikisht, ata janë duke mbledhur kredite morale në bankën e tyre. Kjo i bën ata të gjykojnë sjelljen e tyre me më shumë mirësi edhe kur ajo nuk është etike”.
Me fjalë të tjera, licencimi moral ndodh kur një lider mendon se ka bërë një të mirë të madhe dhe tani kërkon diçka në këmbim, diçka që mund ta marrë edhe në mënyrë të paligjshme.
Pse, kot u tha Edi Rama shqiptarëve se i ka shpëtuar nga 18 mijë viktima prej koronavirusit? Tani duhet të marrë diçka mbrapsht. Mos kujtoni se ajo gjë është trualli i teatrit. Ai kërkon zgjedhjet. I duhet një mandat tjetër.
***
Profesori Daniel Effron, i cili e ka përpunuar i pari termin ‘licencim moral’, sjell një shembull të afërt për ne ballkanasit. Kur lideri i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç doli në gjyq për vrasjen e myslimanëve, ai tha se nuk ka asnjë paragjykim ndaj tyre. Si provë, solli faktin se berberi i tij ishte mysliman. Në këtë rast, ai duket se e mbivlerësoi faktin se sa shumë kredite morale i kishte dhënë berberi.
Ngjashëm edhe Edi Rama mendon se një vepër e mirë e ka çliruar për të bërë keq. Edhe kur ndodhi tërmeti, pasi u tha shqiptarëve se nuk i la në dorë të Zotit, nisi të nxiste zëra për një mandat të radhës. Edhe tani po flet për zgjedhjet e radhës, fillimisht me zëra për një koalicion me LSI-në dhe tani në formën më brutale të gjuhës dhe veprimeve politike.
Rasti i Teatrit ishte një test litmusi për të parë se të gatshëm janë shqiptarët dhe të huajt që të pranojnë që Rama të shkojë përpara me planet e tij për zgjedhjet.
Ky është ai momenti kur duhet kuptuar se vija e kuqe në këtë vend janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Këtë duhet ta kuptojnë dhe mundësisht ta thonë hapur të huajt. Këtë gjë duhet ta kërkojnë të gjithë shqiptarët, madje edhe ata që pas protestës së Teatrit Kombëtar, kanë menduar të shkojnë më tej në botën e politikës.