Doktor Pëllumb Pipero thotë se gjendja në Spitalin Infektiv paraqitet komplekse.
“Situata në spitalin infektiv është komplekse. Kemi 66 pacientë të shtruar në spital. Kemi nga ato që presin për të dalë nga spitali të shëruar. Kemi pacientë në gjendje të mesme dhe kemi pacientë në gjendje të rëndë.
Kjo është një pandemi shumë e panjohur. Është një sëmundje tinzare pasi ta merr pacientin atëherë kur nuk e mendon. Me këtë virus nuk ka trimëri. Trim është ai që qëndron në shtëpi” – tha Pipero.
Në një intervistë me Skype në emisionin Open në Top Channel, Pipero tha se është e dhimbshme, por edhe tragjik fakti që kryeministri britanik Boris Johnson ka kaluar në terapi intensive për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.
“Është e dhimbshme, është e vështirë shumë nëse futet në trajtim intensiv dhe nëse intubohet por edhe tragjike sepse e mori fillimisht si me lehtësi.
Ky virus nuk kursen asnjë, të gjithë jemi të pambrojtur, e vetmja mënyrë është të shmangemi sa kohë s’ka asnjë medikament beteja me të është shumë e vështirë”, – tha mjeku.