Franca e ka nisur me tre pikë rrugëtimin në Botërorin 2026, por jo pa vështirësi. Përballë një Senegali që e vuri në provë për një pjesë të mirë të ndeshjes, francezët fituan 3-1 vetëm pasi reaguan në fraksionin e dytë të lojës.

Senegali hyri më mirë, por nuk gjeti golin
Ndeshja e luajtur në “MetLife Stadium” të Nju Jorkut nisi me ritëm të lartë nga Senegali, që krijoi rastet më të rrezikshme në pjesën e parë.
Në minutën e 25-të, Nicolas Jackson goditi brenda zonës, por topi u ndal në shtyllë. Më pas, edhe Mane provoi nga distanca, ndërsa në shtesën e pjesës së parë Sarr shpërdoroi një mundësi të pastër pas një topi të ardhur në zonë.
Franca u zgjua pas pushimit
Franca ndryshoi ritëm në pjesën e dytë dhe nisi të ushtrojë më shumë presion në portën e Mendy. Në minutën e 53-të provoi Olise, ndërsa pak më vonë edhe Mbappe testoi portierin senegalez.
Në të 61-tën, francezët pretenduan për penallti, por pas rishikimit me VAR, gjyqtari akordoi vetëm rivënie fundore. Pak minuta më pas erdhi edhe momenti që ndryshoi ndeshjen.
Mbappe zhbllokoi sfidën, Barcola e çoi drejt mbylljes
Në minutën e 66-të, Mbappe shfrytëzoi një top në zonë dhe kaloi Francën në avantazh. Senegali u përpoq të reagonte, por edhe goli i Nicolas Jackson në të 68-tën u anulua për pozicion të parregullt.
Në minutën e 82-të, Barcola doli i vetëm përballë Mendy dhe me një parabël realizoi golin e dytë, duke i dhënë Francës një epërsi më të qartë në fundin e takimit.
Fund me katër gola dhe vulë nga Mbappe
Kur ndeshja dukej e mbyllur, Senegali rihapi llogaritë në minutën e 95-të me Mbaye, pas një goditjeje brenda zonës që Maignan nuk arriti ta kontrollonte si duhet.
Megjithatë, përgjigjja e Francës ishte e menjëhershme. Në minutën e 96-të, Mbappe shënoi sërish me një goditje të fortë nga distanca, duke vulosur rezultatin 3-1 dhe tre pikët për francezët.
Franca e nis kështu me fitore aventurën në Botërorin 2026, edhe pse ndeshja tregoi se Senegali ishte kundërshtar që krijoi jo pak probleme.
Për ekipin afrikan, humbja lë pak hapësirë për gabime në sfidat e ardhshme ndaj Norvegjisë dhe Irakut.
