Një pasaportë shëndeti që do të mundësojë hyrjen e të gjithë turistëve që rezultojnë negativë ndaj covid-19. Është kjo ideja që po mendohet në Itali.
E ndërsa kufijtë nisin të hapen në 3 qershor Sardenja dhe Siçilia, dy ishujt më të mëdhenj në shtetin fqinj po përpiqen të marrin dritën jeshile nga qeveria për të vënë në jetë këtë plan.
Autoritetet po e anashkalojnë për momentin, por edhe nëse aprovohet do të kishte ende shumë pengesa, disa prej të cilave duken të pakapërcyeshme për momentin, me kaq pak kohë në dispozicion.
Pengesa e parë është qasja në teste. Testi, i vetmi instrument i besueshëm për përcaktimin nëse rezulton pozitiv apo jo, realizohet vetëm përmes sistemit shëndetësor kombëtar për ata që kanë simptoma ose kanë patur kontakte me një person të prekur.
Dhe së dyti testet serologjike vërtetojnë vetëm nëse antitrupat janë zhvilluar, jo nëse infeksioni vijon.
Për më tepër, shumica e këtyre testeve deri më tani kanë dëshmuar se nuk janë të besueshme.