COVID-19/ Fillojnë pushimet masive nga puna. Call Center-at largojnë pjesën më të madhe të të punësuarve

0

Industria e Call Center ka nisur shkarkimet masive të punonjësve për shkak të tërheqjes së klientëve si pasojë e pandemisë së Covid-19.

Teleperformace, një nga kompanitë më të mëdha në këtë sektor, me mbi 2000 punëtorë, u ka dërguar njoftim dhjetëra punëtorëve, ku u kërkon pezullimin e marrëdhënieve të punës deri në përfundimin e kësaj situate të vështirë financiare. Tonin Preçi, kryetar i Sindikadës së Punonjësve në Call Center thotë në një intervistë me Skype se shkarkimet kanë nisur edhe në kompani të tjera.

“Dje është dhënë njoftimi për rreth 50 punonjës, por nga informacionet që kemi pritet të ketë numër më të madh.”

Punonjësit e shkarkuar kërkojnë që qeveria, por edhe nga kompanitë e sindikata të nisin bisedimet për një zgjidhje në këtë situatë, pasi peshën e krizës që po shkaktohet nga koronavirusi nuk mund bartin të vetëm punonjësit e këtij sektori, që është ndër punëdhënsit më të mëdhenj në vendin tonë.

“Të nisim bisedimet me qeverinë dhe kompaninë, nuk mund ta mbajë vetëm punëmarrësi peshën e kësaj krize. Ne na është thënë të mos shkojmë në punë sa të mbarojë situata, por nuk do të paguhemi, ndërsa i bie që nuk do të kemi të ardhura as për të ngrënë.”

Në argumentimet e kompanive të Call Center thuhet se klientët janë duke ulur orët e punës së shërbimeve që kërkojnë me operatorët, për shkak të situatës së bllokimit të aktivitetit ekonomik në të gjithë botën. Industria e Call Center, ashtu si dhe shumë biznese të tjera që janë të mëdhenj dhe me numër të lartë punëtorësh, nuk përfiton nga paketa e ndihmës financiare të qeverisë, pasi janë me xhiro vjetore mbi 14 milion lekë në vit dhe janë të lista e aktiviteteve të lejuara.  

Aktualisht kjo industri numëron mbi 25 mijë punonjës, të cilët rrezikojnë mbijetesën në këto kohë të pandemisë së Covid-19.

Artikulli i mëparshëmBE/ 15 miliard euro ndihmë për vendet në nevojë. Paketa e ndihmës në luftën ndaj koronavirusit
Artikulli i radhësCOVID-19/ Europa me hapa të vegjël drejt “jetës normale”