Policia e Shtetit në kuadër të masave frenuese për përhapjen e COVID-19, njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin ka evidentuar 217 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi A. Q., banues në Tiranë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.32 mg/l.
Po në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi M. H., banues në Tiranë, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.
Në Durrës është arrestuar në flagrancë shtetasi E. F., banues në Krujë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi, në gjendje të dehur në masën 0.53 mg/l dhe në kundërshtim me Aktin Normativ.
Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë shtetasi A. B., banues në Durrës, pasi duke drejtuar mjetin, nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar.
Në Elbasan është arrestuar në flagrancë shtetasi A. K., banues në Përrenjas, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.89 mg/l.
Në Dibër janë arrestuar shtetasit M. M. dhe D. D., pasi shtetasi M. M. drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit, jashtë orarit të lejuar dhe në bashkëpunim me shtetasin D. D. ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 593 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur me këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 11 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Në Vlorë është proceduar penalisht për fshehje të ardhurash, shtetasi B. H., banues në Dhërmi, Himarë, sepse, pas kontrollit të ushtruar në ninimarketin që ai administronte, u konstatua mungesë dokumentacioni dhe moslëshim i kuponit tatimor.