COVID-19/ Avokatët: Disa prej nesh duhet ta përfitonin “pagën e luftës”

0

Moszhvillimi i proceseve gjyqësore ka vënë në vështirësi serioze financiare një pjesë të avokatëve. Ata nuk janë përfshirë në skemat e ndihmës ekonomike për të mbeturit pa punë nga Covid-19, të njohur si “paga të luftës”, dhe as në bonusin 40 mijë lekësh.

“Është një diskriminim që iu bëhet një pjese të avokatëve. Sepse një pjesë e avokatëve nuk përfshihen dot në këtë skemë”, thotë Ferdinand Doja, avokat dhe anëtar në komisionin e disiplinës në Dhomën Kombëtare të Avokatisë. “Por janë avokatët e rinj, avokatët që nuk i plotësojnë kriteret dhe xhiro vjetore e tyre është nën 14 milionë. Këta duhet të ishin trajtuar si gjithë të tjerët”.

Avokatët sugjerojnë rishikim të skemave të ndihmës, së paku për të rinjtë në profesion. Sipas tyre, Covid-19 ka ndikuar direkt në uljen e fitimeve, ndërsa detyrimet mbeten të njëjtat. “Avokatët e rinj ndodhen në vështirësi në këtë situatë. Duhet të vendoset një kriter lidhur me xhirot e tremujorit para Covid-19. Avokatët ndihen në vështirësi për të shlyer detyrimet”, thotë avokati Erion Kullolli.

Në zbatim të vendimmarrjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor puna në gjykata është pezulluar deri në 22 prill. Të gjitha palët ndërgjyqëse janë në pritje të vendimit të radhës, për të mësuar çdo të ndodhë me veprimtarinë e gjyqësorit.

Artikulli i mëparshëmTrondit Parisi: Gjenden gjurmë të koronavirusit edhe në ujë
Artikulli i radhësFlor Mumajesi: “Do martohesha këtë vit por s’më eci,”- Kush ia ka rrëmbyer zemrën?