Në lagjen Musocco të Milanos prehen në një varr masiv viktimat e koronavirusit që nuk janë reklamuar deri më tani nga familja, nuk kanë askënd apo janë emigrantë të huaj që kanë mbetur të bllokuar në territorin italian për shkak të izolimit.
Në këtë lagje të perfierisë veri-perëndimore të Milanos, kryetari i Bashkisë së Milanos, Beppe Sala ka urdhëruar nderimin e këtyre viktimave duke mos i lënë më nëpër morgjet e spitaleve.
Është një gjest human që bëhet me shpenzimet e komunës së Milanos deri sa famijarët, të afërmit të njoftojnë humbjen e njerëzve të tyre apo prefekturat të lejojnë marrjen e trupave.
“Janë bij të Milanos, siç kemi humbur me mijëra të tjerë“, ka deklaruar kryebashkiaku i Milanos Beppe Sala, duke informuar se të gjithë në këtë varr do të nderohen njësoj me një kryq të thjeshtë me emrin e tyre e kjo parcelë do të jetë një livadh i gjelbërt pa monumente varri të paktën për 2 vite pas varrimit të viktimës së fundit.
Një ditë më parë kryetari i Bashkisë së Milanos bëri një ceremoni homazhi në këtë varr masiv që dhe pse ngjan me atë çka po ndodh në New York, nuk është kështu. Të afërmit e familjarët sapo të marrë fund karantinimi mund t’i marrin viktimat e t’i nderojnë në vende e varreza të zgjedhura nga ata.