Pse qeveria dhe bashkia nuk përdorin procedurë të hapur dhe transparente për tenderat e rindërtimit?

0

Qeveria shqiptare ka mbyllur pa sukses fazën e parë të prokurimit publik dhe është duke përgatitur terma të reja për tenderët që do nxjerrin kompanitë fituese për ndërtimin e shkollave, projekt i cili është i ndarë në lote dhe në garë janë futur mbi 17 kompani ndërtimi, pjesa më e madhe emra te njohur të punëve me para publike në Shqipëri.

Pavarësisht publikimit në “Financial Times”, që është detyrim për tenderë ndërkombëtarë, garuesit ishin të zakonshmit shqiptarë që fitojnë tenderët. Në datën 17 mars u hap tenderi me procedurë të kufizuar për ndërtimin e objekteve arsimore ku iu la afat deri në 27 mars për dorëzimin e ofertave. Ky vendim duket se është edhe hapi i parë që ka çuar në ngritjen e dyshimeve te ekspertëve vendas dhe të huaj.

Neni 43 i ligjit për prokurimet publike ka bërë dallimin ndërmjet tenderëve me procedurë të hapur dhe të kufizuar. Në një tender të hapur, ligji jep minimalisht 52 ditë kohë që të dorëzohen kërkesat ndërsa në një tender të kufizuar, afati minimal kohor për dorëzimin e ofertave është 20 ditë.

Por pavarësisht kësaj, asnjëra nga afatet nuk u respektua pasi në fillim kompanive fillimisht iu la një afat 9 ditë kohë për të paraqitur oferta. Këtë vendim, institucionet shqiptare tentuan ta rregullonin duke e shtyrë me një javë tjetër paraqitjen e ofertave.

Autoritetet duhet të shpjegojnë përse nuk zgjodhën një tender të hapur ku kompanitë shqiptare dhe ndërkombëtare do të kishin më shumë kohë për të paraqitur ofertat. Argumenti përforcohet edhe më shumë pasi tenderi i parë u hap në datën 17 mars, kohë në të cilën në Shqipëri kishin nisur masat shtrënguese e ndërsa në vendet europiane situata me COVID-19 po bëhen gjithnjë e më dramatike.

Euronews Albania i është drejtuar prej disa ditësh dy institucioneve, bashkisë së Tiranës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për informacion zyrtar mbi këto procedura dhe kriteret e garës qe pritet të rihapet por është ende në pritje të afatit ligjor të përgjigjes nga institucionet përkatëse. /Euronews Albania

Artikulli i mëparshëmDisa pyetje për juristët e Presidentit, pse Meta u soll si këshilltar i Komisionit të Ligjeve për ndryshimet në Kodin Penal
Artikulli i radhësQytetet ku lehtësohen masat e lëvizjes duke filluar prej ditës së Hënë