Mjeku që la 7 fëmijë në shtëpi për të luftuar në vijën e parë kundër COVID-19

0

Si është të ndodhesh në epiqendrën e një pavioni urgjence gjatë COVID-19 dhe pse do të dilte dikush vullnetar për ta bërë këtë punë? Si përballen profesionistët e mjekësisë me ato që përjetojnë aty dhe pasi e kanë lënë punën? A po tronditen familjet e tyre? Korrespondentja Carolyn Presutti e Zërit të Amerikës bisedoi me një mjek që shkoi larg nga familja e tij për të ndihmuar në ndërtimin e një spitali në terren për pacientët me koronavirus.

Kur është në shtëpinë e tij në Teksas Dr. Mike Wilson dhe gruaja e tij kujdesen për shtatë fëmijë. Në qytetin e Nju Jorkut, ai kujdeset për qindra pacientë.

“Kjo është si kampionati botëror, nëse mund ta përshkruaj kështu. E kalojmë një pjesë të madhe të karrierës tonë duke u kujdesur për pacientë me rrufë, ndonjë kyç të ndrydhur etj. Por, kjo është realisht ajo për çfarë jemi trajnuar”, thotë Dr. Michael Wilson, drejtor mjekësor.

Kështu që kur shikoi pamje nga COVID-19, si këto, ai e dinte se duhej të shkonte me avion në Nju Jork për të qenë në vijat e para.

“Doja që fëmijët e mi ta dinë se sido që të jetë jeta e tyre – pavarësisht nga pikëpamjet politike apo bindjet fetare – kur kombi lëshon një thirrje për ndihmë, thjesht nuk mund të vazhdosh të rrish ulur”, thotë Dr. Wilson.

Dr. Wilson ndihmoi në ndërtimin e spitalit nga e para – duhet të jetë disi shqetësuese për pacientët të hyjnë në një spital fushor në Nju Jork, brenda një anijeje, apo në qendra konventash ose stadiume sportive.

Dr. Wilsonit gjithashtu i duhej të përshtatej, pasi 25 pacientët e tij të parë flisnin pesë gjuhë të ndryshme.

“Këta njerëz janë nga Lindja e Afërt dhe e Largët, me dialekte të vendeve myslimane që nuk i kam dëgjuar ndonjëherë. Pra, një kulturë kaq e gjerë, kaq e pasur”, thotë dr. Wilson.

Ai thotë se mjekët tani e kuptojnë më shumë trajektoren e virusit – periudha vendimtare është nga dita e 5-të tek e 8-ta. Doktor Wilson pajtohet se kurba është duke u rrafshuar, por ai shqetësohet se qytetet e mëdha mund të hapen para kohe dhe një valë e dytë e sëmundjes do ta mbyllë vendin përsëri.

“Katet e kirurgjisë mjekësore janë shumë të mbushura me pacientë që mbahen me respiratorë. Asnjë nuk është pa tub atje. Kafenetë ende përdoren si vend për të mbajtur pacientët. Po, sallat e urgjencës nuk janë më të mbushura plot dhe ndoshta edhe dhomat e pritjes janë bosh. Por, infrastruktura në spital është ende e mbingarkuar. Nuk mund të funksionojë më si spital. Është thjesht një qendër për COVID-in”, thotë Dr. Wilson.

Videot e dërguara nga shtëpia e mbajnë atë të fortë. Dr. Wilson është në javën e tij të katërt të punës me turne 14-orëshe pa asnjë ditë pushimi. Ai qëndron me këmbë në tokë duke marrë pjesë në rutinat familjare nga dhoma e tij e hotelit, ndërsa nuk di se kur do t’i shohë ata personalisht.

“Lidhem me FaceTime me fëmijët. Bëjmë orën e përrallave. Kaloj ca kohë me fëmijët më të rritur në mbrëmje ose lexoj Biblën. Themi lutjet tona familjare dhe pastaj përpara se të shkoj në shtrat, kaloj ca kohë me gruan time”, thotë ai.

Gjëja që i mungon më shumë dr. Wilsonit? Prekja njerëzore. Ai nuk ka prekur një qenie tjetër njerëzore pa dorezë për 24 ditë. /VOA

Artikulli i mëparshëmTabaku: Qeveria nuk e ndal vjedhjen dhe korrupsionin as në kohë pandemie. Ekonomia jonë e fundit në rajon
Artikulli i radhësManastirliu : ”Stafi ka përballuar me sukses fazën e parë të epidemisë”. Disa kanë një muaj e gjysmë pa parë familjet