Ambasadori i ri amerikan nis mandatin pa “politikën e vjetër” në pritjen në Tiranë, mungojnë Rama dhe Berisha

0

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë organizoi mbrëmjen e së premtes një pritje mirëseardhjeje për ambasadorin e ri amerikan, Eric Wendt.

Ceremonia u zhvillua në një hotel në zonën e ish-Bllokut, nën masa të shtuara sigurie, ndërsa të pranishëm ishin rreth 130 të ftuar nga politika, institucionet shtetërore, drejtësia, diplomacia dhe fusha të tjera të jetës publike.

Mes të ftuarve ishte edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Ajo që ra në sy ishte mungesa e kryeministrit Edi Rama dhe e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Për Ramën nuk është bërë e ditur nëse mungesa lidhej me angazhime të tjera apo me listën e të ftuarve. Ndërkohë, Berisha kishte deklaruar disa ditë më parë se nuk kishte marrë ftesë për aktivitetin. Gjatë pasdites ai ndodhej në Korçë, ku zhvilloi një takim me mbështetës të Partisë Demokratike.

Në pritje morën pjesë kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, si dhe deputeti Oerd Bylykbashi. I pranishëm ishte gjithashtu kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Mes pjesëmarrësve ishin edhe ish-kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, deputeti Bledi Çuçi, si dhe ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, i cili ishte ndër zyrtarët e parë shqiptarë që takoi ambasadorin Wendt pas mbërritjes së tij në Tiranë.

Në ceremoni morën pjesë edhe ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi, ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, ministri i Drejtësisë Toni Gogu dhe Mirela Kumbaro.

I pranishëm ishte gjithashtu kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj.

Pjesë e pritjes ishin edhe përfaqësues të komuniteteve fetare.

Artikulli i mëparshëmShqipëria pritet të mbyllë Kapitullin 20 më 13 tetor, Rama drejt Brukselit
Artikulli i radhësAlketa Vejsiu: Në Festivalin e RTSH-së nuk mora pagesë, fondet publike i shmanga