Koronavirusi ka shkaktuar një “cunami urrejtjeje dhe ksenofobie.” Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.
Pa përmendur emra vendesh, Guterres u shpreh se veç krizës shëndetësore kjo është një tjetër pasojë negative e koronavirusit. Ai gjithashtu bëri thirrje për një “përpjekje të gjithanshme” për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje.
Kreu i OKB-së tha se më të prekurit nga kjo situatë janë refugjatët, duke shtuar se ata ishin “etiketuar si burim i virusit dhe më pas iu mohua qasja në trajtim mjekësor”.
Veç këtyre, Guterres përmendi edhe gazetarët, personat që ngrenë zërin për ndërgjegjësim, mjekët dhe mbrojtësit e të drejtave njerëzore po targetohen vetëm sepse janë duke bërë punën e tyre.
Gjithashtu, shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkara u bëri thirrje mediave që të heqin “përmbajtjen raciste dhe të dëmshme”, dhe institucionet arsimore të përqendrohen në shkrimin digjital në një kohë kur lajmet e rreme vazhdojnë të përhapen në internet.