Vala e dytë? Kërcënimi i Manastirliut tregon dështimin e qeverisë

0

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ndërhyri sot në konferencën e zakonshme të ‘ekspertëve’ për bilancin e koronavirusit, duke kërcënuar se do të rikthehet izolimi për shkak të shtimit të rasteve.

Deklaratat e saj vijnë pasi edhe sot u regjistruan 18 raste, njësoj si një ditë më parë. Ndërkohë në mënyrë identike tre ditët e mëparshme kishin nga katër raste, si për të përforcuar bindjen se kurba diktohet nga lart.

Por pas deklaratës së saj, disa portale nxituan të thonë se po rikthehet vala e dytë.

Po si mund të kthehet një valë e dytë, kur nuk dihet nëse mbaroi e para? Kurba e Shqipërisë nuk reflekton asnjë moment pikun apo rënien. Ajo është kurba më qesharake në botë dhe diktohet jo nga testimet në masë, por nga humori qeveritar.

Duket qartë se kjo deklaratë e Manastirliut është një agresion ndaj qytetarëve, që po i kthehen ngadalë normalitetit. Por qytetarët janë treguar mjaft korrektë në distancimin social.

Shpërthimet e koronavirusit kanë ndodhur kryesisht në fasoneri dhe kjo është një bombë e paralajmëruar.

Po ashtu shpërthimet po vazhdojnë nëpër spitale dhe klinika, te bluzat e bardha që janë lënë pa mbrojtje.

Sikundër ka raportime për shpërthime në të tjera ndërmarrje shtetërore si te Ujësjellësi i Beratit apo te forcat e rendit. Edhe shpërthimet në burg tregojnë se shteti nuk funksionon.

Të gjitha këto vatra tregojnë se shpërthimet kanë ndodhur aty ku ka dështuar shteti.

Ndaj përpiqen që të fajësojnë qytetarët me shpresën se kështu do e gjejnë fajtorin, edhe pse e dinë se kanë ndërtuar një shtet që ngjason me kështjellën e rërës.

Kur dihet se fajtori është në krye të qeverisë./syri.net

Artikulli i mëparshëmCilat janë të drejtat që kufizohen gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore
Artikulli i radhësVendimi për prishjen e teatrit, i paligjshëm dhe me gafa qesharake