Përgatitja e Kasatës me Arra dhe Mjaltë.
Kasata, një ëmbëlsirë gjysmë e ftohtë shumë e dashur dhe e thjeshtë për t’u përgatitur në shtëpi nga të gjithë.
Freskia e kosit dhe ëmbëlsia e mjaltit janë kombinimi perfekt për të mbyllur shijshëm drekat apo darkat tuaja.
Më e thjeshtë se akullorja në përgatitje dhe shumë herë më e shëndetëshme.
Zbuloni me AgroWeb.org mënyrën perfekte të përgatijes së kësaj recete të ëmbël.
Përbërësit (për 6 persona)
400 ml kos
170 gr mjaltë
450 ml pana për ëmbëlsira
100 gr sheqer
60 gr arra ose stika të shtypura
Përbërësit
Për të realizuar këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të filloni më përgatitjen e kremit të kasatës.
Në një enë të thellë përzieni bashkë kosin dhe mjaltin dërisa të krijohet një masë kompakte e njëtrajtëshme.
Më pas në një tjetër enë, përzieni sërisht me anë të një rrahësi elektrik panën dhe sheqerin derisa sheqeri të ketë shkrirë dhe kremi të jetë trashur.
Në këtë fazë mund të shtoni sipas dëshirës edhe disa copëza arrash të shtypura brenda kremit të kasatës.
Më pas me kujdes shtoni tek kremi i panës edhe kosin që përgatitët më parë dhe përziejeni me lugë për disa sekonda.
Zgjidhni gotat apo masat ku do të ndani kasatat dhe hidheni kremin përkatësisht në 6 masa të ndryshme të vogla.
Mbuloni sipërfaqen e gotave me letër plastike dhe futini të gjitha në ngrirje për të paktën 4 orë.
Kujdesuni t’i lini kasatat mjaftueshëm në frigorifer derisa ato të kenë ngrirë plotësisht në mënyrë që të provoni shijen e vërtetë të tyre.
Në momentin që doni t’i konsumoni ju këshillojmë t’i fusni gotat apo masat e vogla ku hodhët kasatën në një tenxhere me ujë të ngrohtë.
Lagini ato me pak ujë të ngrohtë dhe nxirrini nga gota duke i prerë anët me majën e një thike.
Në këtë mënyrë do të mund t’a vini kasatën tuaj në një pjatë dhe ta shërbeni duke i shtuar edhe pak mjaltë sipër dhe disa copëza arrash.