Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që prek një nga fushat më problematike për qytetarët dhe bizneset: pronën. Sipas versionit zyrtar, Kadastra dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës do të shkrihen në një institucion të vetëm, ndërsa paralelisht parashikohet një hartë e re unike kombëtare për pasuritë private dhe shtetërore.

Një agjenci e vetme për pronat
Projektligji parashikon krijimin e Agjencisë Shtetërore të Pronës, përmes bashkimit dhe riorganizimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës me Agjencinë e Trajtimit të Pronës.
Sipas qeverisë, arsyeja kryesore lidhet me fragmentarizimin e kompetencave mes institucioneve të ndryshme. Në argumentimin e paraqitur, ndarja mes trajtimit të pronës dhe regjistrimit të saj ka sjellë zvarritje dhe vështirësi në mbylljen e proceseve të pronësisë.
Çfarë funksionesh do të ketë struktura e re
Sipas projektligjit, agjencia e re do të mbulojë tre shtylla kryesore: regjistrimin kadastral të pronave, administrimin dhe inventarizimin e pasurive të shtetit, si edhe përfundimin e proceseve të legalizimit, kalimit të tokave bujqësore dhe kompensimit të ish-pronarëve.
Ministria e Drejtësisë pretendon se riorganizimi synon të mbyllë boshllëqet ligjore dhe mbivendosjet e kompetencave që, sipas saj, krijojnë hapësira për interpretime dhe praktika të ndryshme administrative.
Hartë unike dhe afat 45-ditor për pretendimet
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të parashikuara është krijimi i një harte unike kombëtare të pronave. Qeveria synon që të dhënat për pasuritë private dhe shtetërore të administrohen në një sistem të integruar dhe të digjitalizuar.
Për qytetarët dhe subjektet e interesuara, projektligji vendos një afat 45-ditor gjatë regjistrimit fillestar. Pasi publikohen hartat dhe të dhënat paraprake, brenda këtij afati mund të paraqiten ankesa dhe pretendime.
Kompetenca të reja për administratën dhe barrë financiare
Paketa i jep administratës edhe një kompetencë të re parandaluese: në rast dyshimesh për mashtrim apo shkelje ligjore, mund të vendosen kufizime të përkohshme mbi veprimet kadastrale. Kjo zgjeron rolin e administratës në një sektor ku konfliktet për pronën kanë prodhuar prej vitesh kontestime dhe bllokime.
Nga ana tjetër, agjencia e re pritet ta nisë funksionimin me një barrë financiare të trashëguar prej miliarda lekësh nga institucionet që do të përfshihen në të.
Ligj i ri dhe dy nisma të tjera për pronat
Projektligji përbëhet nga 74 nene dhe 8 krerë dhe parashikon shfuqizimin e kuadrit aktual ligjor për kadastrën, duke e zëvendësuar me një ligj të ri të integruar.
Në të njëjtën reformë, qeveria ka nxjerrë për konsultim publik edhe dy projektligje të tjera: një për pronat e paluajtshme dhe një për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Paketa vjen me premtimin për thjeshtim institucional dhe më shumë koordinim, por mbetet për t’u parë nëse bashkimi i strukturave do të sjellë realisht zgjidhje për dosjet e mbartura të pronës, apo vetëm një riorganizim të ri administrativ mbi një problem të vjetër.
Për qytetarët, pika më konkrete në këtë fazë mbetet afati 45-ditor për ankesat pas publikimit të të dhënave paraprake, në një proces që prek drejtpërdrejt të drejtat mbi pronën.
