Gjermani- Një zyrtar i ministrisë së Brendshme në Gjermani ka shpërndarë së fundmi një dokument prej 83 faqesh, që sipas tij i përket këtij institucioni, në të cilin thuhet se COVID-19 është një alarm fals. Sipas medieve gjermane dokumenti prej 83 faqesh është shkruar nga një zyrtar i lartë, emri i të cilit nuk përmendet.
“Efektet e vëzhguara të COVID-19 nuk zbulojnë prova të mjaftueshme që, për sa i përket efekteve në shëndetin e të gjithë shoqërisë, është më shumë sesa një alarm i rremë. Virusi i ri me sa duket asnjëherë nuk ka përfaqësuar një rrezik më të madh për popullsinë sesa normalja (krahasuar me nivelin normal të vdekshmërisë në Gjermani). Corona në thelb vret njerëz që do të vdisnin statistikisht këtë vit prej moshës së thyer dhe organizmi i tyre i dobësuar nuk mund të përballonte më stresin e rastësishëm përfshirë afro 150 viruse aktualisht në qarkullim”, thuhet në dokument e publikuar nga ai.
“Rreziku i Covid-19 është mbivlerësuar (jo më shumë se 250.000 vdekje me Covid-19 në të gjithë botën, krahasuar me 1.5 milionë vdekje gjatë valës së gripit 2017/’18). Ndoshta kemi të bëjmë me një alarm global të rremë që nuk është zbuluar për një kohë të gjatë”, thuhet më tej.
Por nuk ka munguar një reagim nga ministria e Brendshme gjermane e cila hedh poshtë dokumentin e punonjësit dhe thekson se është thjesht një mendim i tij personal.
“Analiza u krye jashtë përgjegjësisë funksionale të autorit dhe njësisë organizative në ministrinë për të cilën ai punoi. Ai kishte përhapur dokumentin shumë-faqesh duke përdorur emrin e ministrisë dhe kanalet e komunikimit zyrtar.”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Ndërkohë “Der Spiegel” raporton se punonjësi i ministrisë është liruar nga detyrat e tij.