Shtohet një tjetër zero në rivalitetin më të kushtueshëm të futbollit
Cristiano Ronaldo ka fituar 105 milionë dollarë (para taksave) vitin e kaluar, duke u renditur i 4-ti në klasifikimin e Forbes “The world’s highest-paid celebrities”, një vend më lart se rivali i tij kryesor në sport, Lionel Messi, dhe duke u bërë lojtari i parë në futboll në histori që ka fituar 1 miliard gjatë së gjithë karrierës si lojtar.
Sulmuesi 35-vjeçar është atleti i tretë që e kapërcen këtë prag, ende aktiv, pas Tiger Woods; lojtari i golfit e kapërceu këtë prag në vitin 2009, pas marrëveshjes së sponsorizimit me afat të gjatë me Nike; dhe pas boksierit Floyd Mayweather, i cili e theu këtë rekord në vitin 2017; pjesa më e madhe e të ardhurave të tij vinin nga shitjet pay-per-view dhe sfidave në boks.
Ronaldo, i pari që e kapërcen këtë prag në një sport skuadre, ka fituar 650 milionë dollarë në fushë gjatë 17 viteve si profesionist, dhe mendohet se do të arrijë 765 milionë dollarë nga paga në karrierë, falë kontratës aktuale që do të përfundojë në qershor të vitit 2022. Messi, i cili ka filluar të luajë futboll në nivelin senior tre vite pas Ronaldos, nga 2005 ka fituar nga paga në total 605 milionë dollarë.
I vetmi atlet në një sport skuadre që i afrohet (edhe pse në një distancë mbresëlënëse) është ish-lojtari i bejsbollit i New York Yankees, Alex Rodriguez, i cili u tërhoq në vitin 2016, pas 22 vitesh në Major League Baseball, pasi fitoi 450 milionë dollarë nga paga. As legjenda e futbollit David Beckham nuk i afrohet, duke e mbyllur karrierën me 500 milionë dollarë të ardhura totale, gjysma e të cilave nga sponsorizimet jashtë fushës.
“Cristiano Ronaldo është një ndër lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, në sportin më popullor në botë, në një kohë kur futbolli nuk ka qenë kurrë kaq i pasur” – deklaroi Nick Harris nga “Sporting Intelligence”, sondazhi i të cilit “Global Sports Salaries” klasifikon skuadrat në të gjithë botën në bazë të pagave totale.
Përplasjet e drejtpërdrejta midis Ronaldo dhe Messi nisën të nxehen në vitin 2009 në Ligën spanjolle, kur Ronaldo luante për Real Madrid dhe Messi për Barcelonën. Përballjet e tyre në fushë ndezën një betejë 9-vjeçare për të fituar vlerësimin “Lojtarit më të mirë” dhe atij më të paguar, në sport. Kjo përballje i ka nxitur të rinegociojnë kontratat dhe të monopolizojnë vëmendjen në lojë.
Rivaliteti ka qenë sa argëtues, aq edhe fitimprurës, në një kohë që klubet në të gjithë botën po dëshmonin një rritje të pjesëmarrjes dhe fluksit të parave nga të drejtat televizive. Të dy përputhen në mënyrë të përsosur për betejën, brenda dhe jashtë fushës. Ronaldo ka përsosur një imazh me fuqi dhe stil, ndërsa Messi i luan ndeshjet në paqe, por me performancë shumë të lartë.
Të dy kanë arritur rezultate. Barcelona ka fituar 6 herë La Liga-n dhe 2 herë Champions League me Messin në skuadër. Real Madrid e ka fituar dy herë La Liga-n dhe 4 herë Champions League me Ronaldon. Gjatë viteve të tyre në kampionat, secili lojtar ka fituar 4 herë ‘Topin e Artë’ dhe El Clásico, një ngjarje televizive që ka thyer rekorde në të gjithë botën.
Të ardhurat e Ronaldos për vitin 2020 përfshijnë pagën 60 milionë dollarë, pak më e ulët se vitin e kaluar, për shkak të reduktimit me 30% nga pandemia COVID-19. Messi, i cili ka fituar 104 milionë vitin e fundit, pas një ulje për shkak të koronavirusit, është gati ta kapërcejë pragun 1 miliard vitin e ardhshëm, para përfundimit të kontratës aktuale me Barçën.
Roger Federer, për herë të parë, atleti më i paguar në botë
Pagat e atletëve më të paguar në botë kanë rënë për herë të parë në katër vjet sipas klasifikimit të Forbes 2020, “The 100 highest-paid athletes” . Koronaviusi ka shkaktuar kaos në sport dhe ka anuluar apo shtyrë shumë evente për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Atletët më të paguar në botë kanë fituar këtë vit, në total, 3,6 miliardë dollarë, 9% më pak krahasuar me 2019, në rënie për herë të parë që nga viti 2016, kur boksierët Floyd Mayweather e Manny Pacquiao ndryshuan rezultatet duke fituar 400 milionë dollarë nga takimi “Fight of the century” në maj të 2015.
Roger Federer renditet në krye të klasifikimit, për herë të parë, me 106 milionë dollarë të ardhura para taksave, duke lënë pas Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, të cilët kanë shkëmbyer vendin e parë mes tyre në tre nga katër vitet e fundit. Dy ikonat e futbollit, së bashku kanë fituar 209 milionë dollarë në 12 muajt e fundit, me një rënie me 28 milionë dollarë nga viti 2019, për shkak të reduktimit të pagave në shumë nga klubet europiane të futbollit, nga momenti i ndërprerjes së kampionateve në mars.
Federer, i cili ka portofolin më të mirë të sponsorizimeve sportive, është tenisti i parë në 30 vjet që renditet në vend të parë, pasi ka fituar 100 milionë dollarë jashtë fushe, falë marrëveshjeve me Uniqlo, Credit Suisse, Mercedes-Benz dhe 10 partnerë të tjerë. Ronaldo ka fituar 45 milionë dollarë nga Nike, Altice, Herbalife dhe marka e tij CR7, ndërsa Messi ka fituar 32 milionë dollarë nga Adidas, MasterCard dhe PepsiCo.
Burimi: Forbes