Çfarë ka brenda librit të Boltonit që po çmend Donald Trump-in

0

Libri i sapo përfunduar i ish këshilltarit të sigurisë së Donald Trump, John Bolton, po trondit Shtëpinë e Bardhë për shkak të raportimit të detajeve të rënda në lidhje me presidentin.

Në 577 faqet e kujtimeve të titulluara “The Room Where It Happened” ( “Dhoma ku ndodhi”), Bolton pretendon se Presidenti Trump i ka kërkuar Kinës që të ndikojë zgjedhjet në SHBA në favorin e tij, duke blerë më shumë grurë dhe sojë, të cilat rriten në zonat që mbështesin Trump.

Sipas librit të Boltonit, një përkthyes kishte deklaruar se Trump i kishte thënë presidentit kinez, Xi Jingping, që të vazhdonte të ndërtonte kampe përqendrimi për ujgurët, një pakicë etnike në Kinë, kundër të cilëve qeveria kineze ka ndërmarrë fushata të ashpra.


“Trump e zhvendosi papritur bisedën te zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke përmendur potencialin ekonomik të Kinës dhe duke i kërkuar Xi Jinping ta ndihmonte për të siguruar fitoren. Ai theksoi rëndësinë e fermerëve dhe blerjeve të shtuara të bimëve të sojës dhe grurit nga ana e Kinës, në rezultatin zgjedhor”, shkruan Bolton.

Sipas këshilltarit, Trump ia kishte ndërprerë Ukrainës financimet ushtarake, me kusht që të hapnin një hetim kundër rivalit të tij politik, Joe Biden.

Kjo çështje u përdor edhe si argument nga demokratët kur kërkuan ngritjen e një komisioni që të hetonte nëse presidenti duhej shkarkuar apo jo. Bolton refuzoi të dëshmojë në këtë komision.
“Washington Post” njofton se Trump me muaj të tërë kishte menduar se çfarë dhurate mund ti bënte diktatorit koreanoverior Kim Jong-Un. Trump e kishte quajtur Kimin “Little Rocket Man”, domethënë: vogëlushi me raketë. Për ta qetësuar liderin Korean se kjo shprehje nuk qe përdorur në mënyrë pezhorative, Trump dëshironte t’i dërgonte diktatorit një CD të nënshkruar të hitit të Elton Johnit “Rocket Man”.

Veç kësaj, Bolton pretendon se presidentit i mungojnë njohuritë gjeopolitike. Sipas tij, Trump nuk e dinte që Mbretëria e Bashkuar ishte një nga fuqitë bërthamore, si dhe mendonte se Finlanda ishte pjesë e Rusisë.

Fragmentet që kanë botuar gazetat amerikane si “New York Times”, “Washington Post” dhe “Wall Street Journal”, e bëjnë Donald Trump, të duket edhe më injorant se ç’mendonte bota deri më tani. Bolton citon ministrin e Jashtëm Mike Pompeo, i cili Trumpin në një shënim në letër e kishte quajtur: “so full of shit”, pra thjeshtë një idiot.

Administrata Trump po përpiqet të pengojë botimin e librit të programuar për 22 qershor, me pretendimin se ai përfshin informacione të klasifikuara mbi sigurinë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha gjatë një interviste për Fox News se Bolton kishte shkelur ligjin. “Është një njeri i dështuar, por unë i dhashë një mundësi”, ishin fjalët e Trump.

Portret/ John Bolton, njeriu që pëshpërin në veshin e Trump për ndarjen e Kosovës

Departamenti i Drejtësisë ka depozituar një padi e kërkon një urdhër gjykate për të ndaluar botimin. Megjithatë shtëpia botuese thotë se qindra-mijëra kopje të librit janë shpërndarë tashmë në të gjithë botën dhe përpjekja e qeverisë nuk do të sjellë asnjë rezultat.

Bolton ka qenë këshilltar i presidentit për 17 muaj, para se të jepte dorëheqjen. Ai ka punuar edhe për presidentët Regan dhe Bush, ka qenë përkrahës i angazhimit të SHBA-ve në luftën me Irakun, mbështeti tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe sidomos u bë garanti për një marëveshje me ndryshim kufijsh dhe shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 24 gusht 2018, në Kiev ai deklaroi se SHBA nuk e kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. “Mendoj se ka shenja të reja se të dy qeveritë janë të gatshme të negociojnë për këtë. Politika jonë, politika e SHBA-ve, nuk i përjashton korrigjimet territoriale, nëse të dy palët bien dakord me njëra tjetrën marrëveshja dhe mund të arrihet”.

Së fundi, tani që Bolton është shpallur një armik nga rrethi i ngushtë i Trump edhe emisari i presidentit për dialogun Grenell, e pranoi këtë fakt, por duke shtuar se ajo qe një ide personale e ish këshilltarit të sigurisë e pa mbështetur nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Artikulli i mëparshëmGara për kryetarin rrezikon të rrisë ‘tutelën e qeverisë’ mbi AMA-n
Artikulli i radhësGruaja e Buffon sulmon CR7: Anëtarët e familjes nuk bëjnë si motra jote…