Arrestimi i autorit të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Bujar Lika (Hasani) dhe Paulin Gjergji Markun në Laç duket se sqaron pozicionin e 21-vjeçarit Kreshnik Tusha, i cili u arrestua fill pas ngjarjes si i dyshuar pasi u paraqit në spital i plagosur në këmbë. Policia në atë kohë dyshonte se Tusha ishte pjesë e atentatorëve, por vetë i plagosuri para uniformave blu ka thënë se ishte plagosur në derë të banesës së tij nga persona të paidentifikuar që e qëlluan nga një makinë në lëvizje.
Këto pretendime në atë kohë nuk u morën parasysh dhe gëzhojat në vendngjarje u panë si një truk që ishte përdorur për të shpërqendruar hetimet. Por, me arrestimin e Eduard Lamajt alibia e 21-vjeçarit Tusha vërtetohet.
Grupi hetimor mëson se pas atentatit makina e autorëve është futur në një rrugicë ku është edhe banesa e Tushës. Duke kujtuar se 21-vjeçari u ka ngritur pritë ata kanë qëlluar në drejtim të tij duke e plagosur në këmbë.
Policia sqaroi sot se Eduard Lamaj është autori kryesor i ngjarjes ndërkohë janë identifiktuar dhe shpallur në kërkim 3 bashkëpuntorët e 30- vjeçarit për vrasjen e 30 majit. Eduard Lamaj, i cili sipas Policisë është autori kryesor i ngjarjes po mjekohej në qytetin Studenti në klinikë private ilegalisht nga mjekët Besim Lama dhe Viktor Marku, te cilet u arrestuan. Policia e Tiranës pas informacioneve ka ushtruar kontroll në këtë subjekt privat ku u konstatua se Eduard Lamaj pas ekspertizës mjeko-ligjore kishte një plagë e shkaktuar 20 ditë më parë, që korrespondon me vrasjen e dy biznesmenëve, Bujar Lika Hasani dhe Paulin Gjergji Marku në një hotel në Laç.