Si e harruan mediat e qeverisë Ylli Ndroqin dhe iu kthyen historisë së Xhemail Pasmaçiut

0

Ka një fakt tejet interesant rreth sekuestrimit të pasurive të Ylli Ndroqit, alias Xhemail Pasmaçiut, që nuk mund të kalojë jashtë vëmendjes. Ndërkohë që e shkuara e tij është e njohur në të gjithë rrethet e gazetarëve, ndërkohë që emri i tij origjinal njihet prej tyre, ndërkohë që arrestimi në Turqi, si pritësi i 30 kg heroinë në vitin e largët 1998, është një fakt i njohur, mediat pranë qeverisë po bëjnë sikur i zbulojnë tani këto fakte. Janë po të njëjtat gazeta dhe portale që kur këto informacione shkruheshin nga simotrat e tyre periferike, nuk merrnin me “copy paste” asnjë gërmë rreth kësaj teme. Tani papritmas janë bërë më të zellshëm dhe më katolikë se Papa.

Po përse ky zell?

Përse të gjitha mediat ku infiltrohen lehtësisht lajme nga zyra e shtypit e kryeministrit për të gjitha temat që i shërbejnë qeverisë, po shfaqin tituj të tillë: “Si u zhvillua aksioni antidrogë në Turqi, Xhemal Pasmaciu dhe një turk ishin pritësit e heroines”, “Dosja e SPAK/ Si i vuri pasuritë Ylli Ndroqi? Aksione, kredi, media dhe hidrokarbure”, “Zbulohet lidhja e Ylli Ndroqit me bosin turk të drogës”!

Fakti se të gjitha këto gazeta dhe portale shërbejnë si zëdhënësa të qeverisë në shkëmbim të favoreve që marrin, si dhe fakti që ato po botojnë pjesë nga dosja sekrete hetimore, ndërkohë që kur botoheshin pjesë të tilla nga dosjet e vjedhjes së votës në Durrës dhe Dibër, të njëjtat media bërtisnin se kjo qe një skandal, ka një domethënie të fortë.

Nëse ajo nuk provon dot me fakte se pas goditjes së padronit të Ora News, qëndron qeveria, ajo së paku vërteton se Rilindasit po fërkojnë duart nga ajo që ka ndodhur.

Po të shkosh edhe më tej ka një pyetje që mbetet pa shpjegim. E zëmë se këto media që tani u kujtuan të rrëfejnë se si ndodhi transformimi i trafikantit Pasmaçiu në bosin e Ora News dhe kryesuesin e shoqatës së konsujve, Ylli Ndroqi, furnizohen direkt nga burime të SPAK. Po atëherë lind dilema: Mos vallë SPAK ka të njëjtët klientë mediatikë që paguan me tendera, toka me 1 euro dhe fonde të majme okulte qeveria?

Nëse tani zërat pranë pronarit kontrovers mediatik, e kanë quajtur ndërhyrjen e prokurorisë speciale politike, të lidhur me mospranimin për të shërbyer dhe me konfiktet që kishin me Erion Velinë, ata deri më tani nuk kanë arritur të japin prova për këto hipoteza. Ata vetëm kanë ngritur dyshimin se përse aksioni i bujshëm i SPAK u bë në gusht, se pse u zgjodh ky muaj kur gjykatësi që merr vendimin nuk caktohet me short (pra është më kollaj i manipulueshëm), metoda kjo që të kujtojnë mënyrën si veprojnë rilindasit.

Por e vetmja gjë që natyrisht nuk përbën provë, por lë në gojën e publikut shijen e një komploti është se mediat e qeverisë me të njëjtat shkrime, madje pa i ndryshuar as titujt po tregohen të zellshme për të përshkruar të shkuarën e trafikantit Xhemail Pasmaçiu.

Artikulli i mëparshëmSTUDIMI: Ftohja e zakonshme mund të përgatisë trupin e një personi për të luftuar COVID-19
Artikulli i radhës“Fëmijët më thanë që po na turpëron”, rrëfimi i nënës së vrasësve për lidhjen e fshehtë me taksistin