Studiuesit holandezë pretendojnë se kanë gjetur antitrupa në qumështin e gjirit të 30 nënave pasi ato u shëruan nga Covid-19. Prandaj, qumështi i gjirit mund të përdoret për të mbrojtur njerëzit më të prekur në rast të një vale të dytë, pohuan ekspertët. Ata thanë se mënyra më e mirë për ta siguruar këtë nuk do të ishte pirja e qumështit, por përkundrazi, duke thithur një kub akulli me qumësht gjiri.
Kjo, pretendojnë ata, u jep antitrupave më shumë shanse për t’u lidhur në mukozën e gojës dhe rrugët e frymëmarrjes, ku mund të parandalojnë përhapjen e koronavirusit më tej në trup.
Gjaku i të shëruarve nga Covid-19, i pasur me antitrupa, është duke u përdorur për të trajtuar pacientët ku tashmë, edhe pse përdorimi i qumështit të gjirit është një ‘ide e çuditshme’, ekipi Hollandez thotë se nëse mund të ndihmojë në parandalimin e infeksionit, nuk duhet të shikohet si problem dhe mijëra gra janë përgjigjur pozitivisht në një fushatë ku u kanë kërkuar atyre të dhurojnë 100 ml qumësht gjiri për hulumtime të mëtejshme.
Studimi fillestar, një bashkëpunim midis Spitalit “Emma Children” në Amsterdam dhe instituteve të tjera, filloi në prill ku Dr. Britt Van Keulen, nga banka e qumështit të gjirit në Amsterdam, tha se e e dinë që qumështi i gjirit mbron fëmijët e porsalindur nga infeksionet e frymëmarrjes. “Kjo sepse ka antitrupa në qumështin e gjirit. Me dhënien e gjirit, nëna i kalon antitrupat e vet fëmijës së saj.” tregon ai.
Studiuesit pretendojnë se eksperimentet laboratorike treguan se antitrupat që gjetën janë mjaft të fuqishëm për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Nëse një nënë ka pasur Covid-19, dyshohet se ajo do të ketë antitrupa që i kalohen fëmijës. Por nuk është e qartë se sa kohë zgjasin antitrupat kundër Covid-19, me shkencëtarët që thonë se ato mund të veniten pas vetëm disa javësh.
Nga ana tjetër, qumështi formulë, përveç se mund të jetë i papërballueshëm për shumë prindër, ai ka nivele të ndryshme të lëndëve ushqyese, por nuk mund të përmbajë antitrupa të cilat prodhohen nga sistemi imunitar i nënës.
Gjithashtu, antitrupat nuk shkatërrohen nga pasterizimi, një proces ngrohjeje i domosdoshëm për të vrarë patogjenët në qumështin e gjirit përpara se të mund të pihet nga njerëzit e tjerë. Kjo do të thotë se ata mund të pasterizohen dhe më pas të bëhen në një formë akulloreje ose kuba akulli dhe t’u jepen pacientëve që vuajnë nga infeksioni, siç dhe pretendohet.
Van Keulen tha që antitrupat duhet të jenë në kontakt me mukozën, një shtresë qelizash që rrethojnë organet e trupit që sekretojnë një lëng të trashë duke mbrojtur pjesën e brendshme të trupit nga patogjenët siç janë viruset. Kjo është arsyeja pse një kub akulli është forma më e duhur e dhënies së qumështit të gjirit.
“Kur e pini atë, ajo zhduket shpejt. Ideja jonë është që ta japim atë në formën e kubeve të akullit, kështu që ka kontakt më të gjatë me mukozën për të krijuar shtresën.” tha Van Keulen.
“Ne mendojmë se pasi kemi pirë qumështin, antitrupat bashkohen në sipërfaqen e mukozave tona. Atje sulmojnë grimcat e virusit para se të hyjnë në trup. Por, trajtimet nuk do të jenë në dispozicion në një shkallë masive për shkak të sasive të kufizuara të qumështit të gjirit por mund të përdoret për të mbrojtur njerëzit më të dobët, siç janë mosha e tretë dhe fëmijët.” tha Hans Van Goudoever, drejtori i Spitalit të Fëmijëve “Emma”.
Van Keulen tha se ndoshta është një pamje e çuditshme të shohësh të moshuarit që pinë qumështin e gjirit por nëse mbron nga një virus vdekjeprurës, duhet të kapërcejmë sikletin.
Studiuesit janë lutur që mijëra gra të dhurojnë qumështin e gjirit, edhe nëse nuk janë diagnostikuar zyrtarisht me Covid-19 dhe përgjigja ka qenë e menjëhershme tha një zëdhënës i spitalit.
Rreth 5000 gra i janë përgjigjur thirrjes për të dhuruar 100 ml qumësht gjiri në emër të hulumtimit.
Studiuesit fillimisht thanë se do të ishte ‘e vështirë’ për të marrë përgjigje sepse pak gra shtatzëna dihet se kanë pasur Covid-19. “Gratë që janë infektuar nga korona pa u vënë re mund të kenë prodhuar antitrupa që mund të gjenden në qumësht,” tha Dr Van Goudoever.
Prandaj, tha ai, janë duke kërkuar për nënat që janë infektuar me korona, por edhe nëse nuk është infektuar, një nënë mund të regjistrohet.
Mbetet për tu parë nëse qumështi i gjirit është me të vërtetë i efektshëm si një trajtim parandalues kundër koronavirusit por Van Keulen ka shpresë për shkak të informacionit në lidhje me një grua shtatzënë gjatë shpërthimit të SARS në 2003.
“Kjo grua shtatzënë u infektua nga virusi SARS dhe lindi një fëmijë të shëndetshëm. Antitrupat ndaj këtij virusi u gjetën në qumështin e gjirit të saj dhe meqenëse koronavirusi është shumë i ngjashëm me virusin SARS pasi janë nga e njëjta familje, atëherë unë mendoj se antitrupat e koronës gjithashtu janë në qumështin e gjirit.” tha Van Keulen.
Antitrupat janë një linjë premtuese e trajtimit të Covid-19 sepse ato mund të përdoren për të forcuar sistemin imunitar të njerëzve që luftojnë virusin.
Gjaku i të mbijetuarve nga Covid-19, i pasur me antitrupa, tashmë është duke u përdorur për të trajtuar pacientët. Trajtimi i përdorur për rreth një shekull për infeksione të tjera funksionon duke përdorur pjesën e lëngshme të gjakut, e njohur si plazma konvulsive.
Kjo plazmë e pasur me antitrupa injektohet te pacientët me Covid-19 që luftojnë të prodhojnë antitrupat e tyre, me shpresë se mund të ndihmojë në pastrimin e virusit.
Administruar në doza si një vaksinë, shkencëtarët thonë se antitrupat mund t’u japin njerëzve imunitet nga virusi.
(Dailymail, gazeta “Si”)