Një numër jo i vogël qytetarësh kanë infektuar të tjerët me koronavirus, familjarë, të afërm apo edhe kolegë pa vetëdije, për shkak se sistemi shëndetësor shqiptar lë për të dëshiruar.
Protokolli shëndetësor i COVID-19 parashikon bërjen e menjëhershme të tamponit nëse dikush është kontakt i një të infektuari të konfirmuar. Në këto kushte, nxitimi për të bërë testimin është diçka krejt normale, për të mësuar nëse jemi apo jo bartës të virusit të rrezikshëm, me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Në Gazetën MAPO ka mbërritur sot një denoncim lidhur me vonesat që krijohen nga ISHP për nxjerrjen e përgjigjes së analizës së tamponit. Qytetari thotë se ka marrë përgjigjen 9 ditë pas marrjes së tamponit. Ai ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Vonesa në bërjen e analizës laboratorike ka bërë që ai të infektojë jo vetëm familjarët por edhe persona të tjerë, ndër ta kolegë të punës, siç edhe shprehet vetë.
Shëndetësia jonë ka luksin të bëjë tendera sekretë, të japë me koncesione dhe PPP miliona euro shërbime që mund të mbulohen nga vetë shteti, e nuk financohet në pjesën më nevralgjike të pandemisë, atë te testimeve dhe gjurmimeve të COVID-19. Dhe ta mendosh që vendet e tjera, përfshirë edhe ato të rajonit, e nxjerrin përgjigjen e tamponit brenda pak minutash. Në Shqipëri duhen deri në 9 ditë!
Një ditë më parë në Gazetën MAPO mbërritën dy denoncime nga qytetarët. Në rastin e parë autoambulanca e COVID kishte mbërritur 10 ditë pas telefonatës së parë te 127-a nga qytetari se kishte simptoma të ngjashme me ato të koronavirusit.
Denoncimi i dytë ishte ai i familjarëve të një zyrtari të shtetit i cili është dërguar me urgjencë në Turqi pas infektimit me koronavirus. Mjekët turq konstatuan se në trupin e zyrtarit nuk kishte asnjë shenjë ilaçesh që trajtojnë koronavirusin edhe pse prej disa ditësh ka qenë në terapi mjekësore në Tiranë.