Fitojnë profesionistët e lirë, Gjykata kushtetuese rrëzon pjesërisht ligjin, nuk do të diskriminohen, do tatohen njësoj me të tjerët në 2029-n

0

Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht rrëzimin e nenit 69 që diskriminonte profesionistët e lirë nga tatimi prej 15%. Tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.

Gjykata Kushtetuese vendosi në mënyrë unanime pranimin e çështjes që është brenda juridiksionit të saj dhe rrëzoi diskriminimin e profesionistëve të lirë, duke u bazuar tek argumentet që paraqitën palët paditëse.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikonte që zbatimi do të niste për profesionistët e lirë nga 1 janari 2024 dhe për bizneset e tjera në vitin 2029.

Janë rreth 29 mijë profesionistë të lirë që preken nga ky ligj. Një pjesë e tyre kanë paguar këstet, të cilat u përllogaritën në bazë të fitimeve të vitit 2023, duke shkaktuar dhe debate të shumta, pasi qeveria nuk njohu shpenzimet e zbritshme prej 30%, të cilat më pas u rishikuan. 

Qeveria parashikonte që të arkëtonte 75 milionë euro nga 29 mijë profesionistët në vitin e parë të zbatimit të ligjit, bazuar në fitimet e deklaruara prej tyre në 2023-n.

Një pjesë e madhe e tyre nuk i kishin paguar ende këstet, sepse po prisnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ata që i kanë paguar do të duhet tashmë të kërkojnë kreditimin e shumës së paguar.

Vendimi nga Gjykata Kushtetuese u dha pas 2 ditësh të përfundimit të shqyrtimit të çështjes.

Argumentet e Kushtetueses

Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti ne kete perfundim duke mbajtur ne konsiderate skemën tatimore dhe ne vecanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kesaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore.

Sa me sipër, Gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në datën 18 Maj 2023 dhe i shtrinte efektet e tij nga data 1 Janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 Dhjetor 2023 sipas nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023 pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit.

Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se  norma e tatimit prej 15 % e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon  testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash: Pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e nenit 69, pika, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023.

Çfarë parashikonte ligji dhe pse u çua në Kushtetuese

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është paditur 4 herë në Kushtetuese.

Shqyrtimi i 3 padive së bashku, e grupit parlamentar të PD-së, të IKM dhe IEKA-s dhe Dhomës Kombëtare të Avokatëve nisi më 18 Qershor dhe përfundoi më seancën e dytë të zhvilluar më 25 Qershor ku u dëgjuan edhe konkluzionet përfundimtare të palëve.

Që në seancën e parë të shqyrtimit të çështjeve me 18 Qershor, me shumicë votash Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën për pezullim, me argumentin se çështja do të trajtohet me përparësi.

Si në parashtrimin e padive dhe në dhënien e konkluzioneve njëzëri përfaqësuesit ligjore të padive përsëritën në paraqitjen e konkluzioneve se ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” shkel parimet e barazisë kushtetuese, të drejtën themelore të veprimtarisë ekonomike, cenon parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike.

Përfaqësuesja e grupit parlamentar të PD-së Jorida Tabaku gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare pohoi se gjatë këtyre 11 viteve me politikat fiskale të qeverisë ka ndodhur një çedukim fiskal dhe papërgjegjshmëri fiskale që ka prodhuar më tej rritje të informalitetit  dhe dëme të tjera në ekonomi. Ajo theksoi se ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” jo vetëm që cenon sigurinë juridike, por është diskriminues për 30 mijë subjekte të vetëpunësuar.

Përfaqësuesi i Dhomës së Avokatisë Kombëtare përsëriti serish se me ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, vijon të ketë denigrim progresiv të profesionit të avokatit.

Përfaqësuesi ligjor i IKM dhe IEAKA në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare pohoi se ligji bën diferencim midis dy kategorive që janë të njëjta në thelb. Sipas tij edhe në parashtrimet e Këshillit të Ministrave që paraqitet si shkak i diferencimit të taksimit mes profesioneve të lira dhe bizneseve të tjera është parimi i aftësisë për të paguar më shumë ai me të ardhura të larta i padrejtë.

“Po ashtu diskriminimi thonë parashtruesit është i kufizuar në kohë. Ndërkohë që janë 6 vite që bizneset e tjera do të jenë pa tatim. Kjo do të ndikojë në mënyrë strukturore te bizneset. Kufizimi në kohë do të ishte i arsyeshëm nëse do të ishim në situatë të jashtëzakonshme”, pohoi ai në dhënien e konkluzioneve.

Në prezantimin e konkluzioneve përfundimtare nga përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave u tha se ligji nuk krijon asnjë pabarazi, nuk diskriminon asnjë grup individësh, nuk shkel asnjë nga parimet Kushtetuese.

Çfarë parashikon ligji?

Zbatimi i ligjit me llogaritjet e këstit të parapagimit të tatimit shkaktoi debate te bizneset e profesioneve të lira, të cilën e konsideruan zbatimin e tij jokorrekt.

Në ligj parashikohet se tatimi 15% për të vetëpunësuarit me të ardhura vjetore deri 10,000,000 lekë në vit llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve fikse të padeklaruara në kontabilitet në vlerën 30%, duke përfshirë dhe të ardhurat nga paga minimale, ndaj totalit të ardhurave vjetore. Ligji parashikon përzgjedhjen e regjimit të veçantë të zbritjes së shpenzimeve 30% nga biznesi ose opsionin e zgjedhjes së deklarimit të tyre me kontabilitet.

Ndërsa kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pa mbajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti. Në muajin dhjetor u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave me listën për shërbimet e profesioneve të lira, duke përfshirë 180 profesione. Po në muajin dhjetor, për shkak të mosarritjes së realizimit të formularit të ri të deklarimit të ardhurave dhe shpenzimeve, hyri në fuqi Akti Normativ që përcaktonte se deklarimet do të bëhen me modelin e vjetër të formularit, por profesionet e lira, do të tatohen sipas normave të reja tatimore që nisën zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

Si u zbatua ligji?

Në muajin Prill, tatimet dërguat te bizneset njoftimet për llogaritjen e parapagimit të tatimit bazuar mbi të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara për vitin 2023. Në shumicën e rasteve këstet e llogaritura të parapagimit arrinin në vlera të larta, si: 700, 800 apo 1,000 eurove. Sakaq në asnjë rast nuk rezultoi se është zbatuar njohja e shpenzimeve fikse në masën 30% për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira me xhiro deri 10 milionë lekë në vit, siç përcaktohet në ligjin i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe udhëzimin shoqërues për zbatim.

Llogaritjet e kësteve (9 këste ) të parapagimit sipas kontabilistëve u kryen mbi të ardhurat dhe shpenzimet faktike të deklaruara për 2023, kur shpenzimet e deklaruara nga subjektet janë të ulëta, për shkak të natyrës së punës së shërbimeve profesionale dhe mos përgjegjësisë tatimore për t’i deklaruar të plota.

Llogaritjet e tatimeve nga ekspertët u vlerësuan jo korrekte edhe nga përmbajtja juridike e zbatimit të ligjit, ku në disa raste tatimet iu referoheshin ligjit për taksat vendore ose ligjit të shfuqizuar për tatimin mbi të ardhurat. Ndërsa ekonomistët pohuan se ishin të informuar që zbritja e shpenzimeve fikse që nuk mund të deklarohej nëpërmjet formularëve të vjetër të deklarimit, për shkak të pamundësisë nga modeli, do të zbatohej si zbritje nga administrate tatimore.

Për njohjen e shpenzimeve 30% tatimet vetëm sqaruan se do të zbatohen në deklarimet e 2024, që kryhen më 31 mars 2025, pas plotësimit të formularit për përzgjedhjen e regjimit të veçantë që pritet të shpërndahet në fund të vitit.

Rishikimi i llogaritjes së kësteve

Pas debateve të shumta që shkaktoi moszbatimi korrekt i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, administrata tatimore rishikoi më 28 maj me ulje këstet e parapagimit të tatimit për profesionet e lira.

Në njoftimet e dërguara që më 28 Maj nga Drejtoria Rajonale e Tiranës, rezulton se për llogaritjen e tatimit për muajin Maj dhe muajt qershor-dhjetor, janë zbritur shpenzimet 30%, të parashikuar në ligj për të vetëpunësuarit me xhiro deri 10 milionë lekë. Pas korrigjimit kësti i parapagimit për muajin Prill ka mbetur i pandryshuar. Ndërsa detyrimi për muajin Maj dhe muajt e tjerë është 30% më i ulët./monitor.al

Artikulli i mëparshëmCensi 2023/ Shqipëria 2,4 mln banorë, rënie me 13.8% krahasuar me 2011
Artikulli i radhësGjykata Kushtetuese: Pse e rrëzuam pjesërisht ligjin, profesionistëve nuk iu la kohë të përshtateshin me skemën e re