Sulmi terrorist në Ankara: 5 të vrarë dhe 22 të plagosur

0

Një sulm terrorist tronditi sot kryeqytetin turk, Ankara, ku 5 persona humbën jetën dhe 22 të tjerë mbetën të plagosur, 3 prej të cilëve ndodhen në gjendje më të rëndë. Sulmi ndodhi në selinë e Industrive Hapësinore Turke (TAI), në distriktin Kahramankazan.

Dy terroristë, një burrë dhe një grua, mbërritën në vendin e ngjarjes me taksi dhe nisën sulmin duke hapur zjarr dhe përdorur eksploziv. Menjëherë pas fillimit të sulmit, shpërthimet dhe të shtënat ngjallën alarm dhe forcat e sigurisë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore u mobilizuan në zonë.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, konfirmoi viktimat dhe të plagosurit. “Kemi neutralizuar dy terroristë. Fatkeqësisht, kemi katër dëshmorë dhe 14 të plagosur, tre prej të cilëve janë në gjendje kritike,” deklaroi ai.

Pamjet e publikuara nga mediat turke tregojnë momentet e sulmit, kur terroristët arritën në hyrje të ndërtesës dhe sulmuan personelin e sigurisë. Njëri prej tyre shpërtheu një bombë, ndërsa pjesa tjetër arriti të hyjë në ndërtesë të armatosur. Të dy sulmuesit u eliminuan nga policia në një përplasje të armatosur.

Ministri Yerlikaya shtoi se hetimet për identifikimin e terroristëve janë në vazhdim dhe se, sapo të zbulohet identiteti i tyre, do të bëhet publik informacioni mbi organizatën terroriste përgjegjëse për këtë sulm.

Autoritetet turke kanë nisur një operacion të gjerë për të parandaluar ndonjë kërcënim të mëtejshëm në zonë dhe për të hetuar çdo lidhje të mundshme të terroristëve me grupe të tjera.

Artikulli i mëparshëmMeta kërcënon kreun e SPAK në seancën gjyqësore
Artikulli i radhësFox News: arrestimet e krerëve të opozitës në Shqipëri, kritika për përdorim politik të drejtësisë