Një qytet i madh Maya është zbuluar pas shekujsh, i fshehur nën mbulesën e xhunglës në Meksikë. Arkeologët kanë zbuluar piramida, fusha sportive, rrugë që lidhin distrikte dhe amfiteatro në shtetin juglindor të Campeche.
Kompleksi i fshehur, të cilin e kanë quajtur Valeriana, u identifikua duke përdorur teknologjinë Lidar – një metodë e matjes me laser që harton struktura të fshehura nën bimësi. Arkeologët besojnë se ky qytet është i dyti për nga dendësia pas Calakmul, i konsideruar si siti më i madh Maya në Amerikën Latine të lashtë.
Skuadra arkeologjike zbuloi gjithsej tre site gjatë një studimi në një sipërfaqe sa kryeqyteti i Skocisë, Edinburgu, “rastësisht” kur një prej arkeologëve po hulumtonte të dhëna në internet. Luke Auld-Thomas, student doktorature në Universitetin Tulane në SHBA, shpjegoi se kishte zbuluar një sondazh Lidar të kryer nga një organizatë meksikane për monitorimin e mjedisit.
Kur Auld-Thomas përpunoi të dhënat me metodat e arkeologëve, ai identifikoi një qytet të madh antik që mund të ketë pasur 30-50,000 banorë në periudhën e tij kulmore, midis viteve 750-850 pas Krishtit, një popullsi më e madhe se sa numri i banorëve aktualë të rajonit.
Qyteti u quajt Valeriana, emri i një lagune aty pranë. Ky zbulim sfidon mendësinë perëndimore që e konsideron tropikun si vend ku “civilizimet shkojnë për të vdekur”, thotë profesori Marcello Canuto, bashkautor i kërkimit, duke theksuar se ky rajon ishte shtëpi e kulturave të pasura dhe komplekse.
Edhe pse nuk dihet me saktësi çfarë shkaktoi braktisjen e qytetit, arkeologët besojnë se ndryshimet klimatike ishin një faktor kryesor.