Komediani kryebashkiak në SPAK: Erion Isai merret në pyetje nga prokurorët

0

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, u paraqit sot në mëngjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe qytetarëve. Ai është kallëzuar për disa vepra penale, përfshirë shpërdorimin e detyrës, korrupsionin pasiv dhe aktiv, fshehjen e pasurisë, si dhe shkeljen e barazisë në tendera dhe ankande publike.

Në të njëjtën çështje janë përfshirë edhe emra të tjerë si Spiro Zoto dhe Euljon Hasko, ish-pronarë dhe administratorë të kompanisë “Rehovari shpk”, si dhe anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave për vitet 2022-2024.

Sipas kallëzimit, tenderat e zhvilluar nga Bashkia Kolonjë rezultojnë me “flamur të kuq”, duke ngritur dyshime për manipulime të procedurave dhe cilësinë e punimeve. Ankesa të shumta nga qytetarët, që shpesh janë të frikësuar për të folur hapur, kanë zbuluar raste ku punimet ose nuk janë realizuar sipas standardeve teknike, ose janë lënë të papërfunduara.

Një rast i veçantë përmendet rikonstruksioni i digës së rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimi i pritave malore në fshatrat e Kolonjës, ku punimet nuk janë përmbushur siç duhet, duke ngritur dyshime mbi mënyrën e shpenzimit të fondeve publike.

Me alokimin e fondeve të shumta nga qeveria dhe bashkëpunimin me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për përmirësimin e infrastrukturës, skandalet e pretenduara ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi menaxhimin dhe transparencën në Bashkinë Kolonjë.

Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për të zbardhur të vërtetën mbi këto akuza të rënda, ndërsa opinioni publik pret me interes zhvillimet e mëtejshme në këtë çështje që prek drejtues të rëndësishëm lokalë.

Artikulli i mëparshëmNjë zbulim alarmues: Merimanga e re helmuese në Australi
Artikulli i radhësOperacion policor në katër komuna: Kosova intensifikon kontrollet ndaj institucioneve serbe