
Identifikohet 19-vjeçari që mbeti i plagosur mbrëmjen e sotme në zonën e Farkës, pranë një kompleksi luksoz. Ai është Kristi Fufi, djali i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi.
Sipas burimeve nga policia, Kristi Fufi u plagos në kokë, dyshohet pas goditjes me një bisht fshese gjatë një konflikti të dhunshëm me disa persona ende të paidentifikuar.
Pas incidentit, vetë Kristi Fufi ka bërë kallëzim në polici, ndërsa mbetet nën kujdesin e mjekëve në spital. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se personat e përfshirë në sherr kanë pasur edhe armë zjarri, megjithatë nuk kanë bërë përdorim të tyre gjatë përplasjes.
Policia ka njoftuar se:
“Rreth orës 19:15, në Farkë, në afërsi të një kompleksi, persona ende të paidentifikuar janë përfshirë në një konflikt dyshohet me sende të forta. Si pasojë është dëmtuar shtetasi K. F., rreth 19 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit si dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt.”
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe për të vënë para drejtësisë autorët e përfshirë.