
Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhëna alarmante për tregun e pasurive të paluajtshme, duke konfirmuar një rritje të ndjeshme të çmimeve të banesave në fund të vitit 2024.
Sipas Indeksit Fischer, çmimi mesatar i banesave të shitura u rrit me 23.6% krahasuar me gjashtëmujorin e parë, ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja është 44.5%. Në kryeqytet, rritja ka qenë edhe më e theksuar, me një rritje vjetore prej 56% dhe 26.2% krahasuar me periudhën paraardhëse.
Qytetet bregdetare rezultojnë gjithashtu ndër më dinamikët, me një pritshmëri pozitive për rritje të mëtejshme sipas agjentëve imobiliarë. Balanca neto e pritshmërive për tregun është rritur në +17% për subjektet me shitje reale.
Përkundër rritjes së çmimeve, koha mesatare e shitjes është ulur në rang kombëtar. Nga 10.5 muaj më parë, ajo ka zbritur në 9.3 muaj, ndërsa në Tiranë koha e shitjes ka rënë në 7.1 muaj.
Rreth 50% e blerjeve janë realizuar me kredi bankare dhe në shumicën e rasteve, 72% e kredive mbulojnë deri në 60% të vlerës së pronës. Ndërkohë, një pjesë në rritje e tregut dominohet nga blerës jorezidentë, kryesisht nga shtetas të BE-së, që përbëjnë 77% të kësaj kategorie.
Vrojtimi është zhvilluar me një kampion përfaqësues prej 230 subjektesh, përfshirë agjenci imobiliare dhe firma ndërtimi, që përfaqësojnë rreth 75-80% të tregut kombëtar. Pyetësorët janë administruar në bashkëpunim mes Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT.