
Një aksion i gjerë i Forcave Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë është zhvilluar mbrëmjen e sotme në disa zona të qarkut të Vlorës, duke përfshirë qytetin e Vlorës, Orikumin dhe Selenicën.
Operacioni është kryer nga FNSH Tirana, në bashkëpunim me FNSH Fier dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë. Qëllimi i këtij operacioni ka qenë parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe rritja e sigurisë publike, me fokus tek personat me precedentë penalë dhe individët që qarkullojnë me armë pa leje.
Sipas burimeve zyrtare, kontrollet janë përqendruar në disa pika të ndryshme të qyteteve të përfshira, me synim identifikimin dhe neutralizimin e çdo rreziku të mundshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë.
Operacionet e Forcave Speciale po shihen si pjesë e një strategjie të re të Policisë së Shtetit për të garantuar një mjedis më të sigurt, sidomos në prag të ngjarjeve të rëndësishme politike dhe turistike në vend.
Hetimet dhe kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, për të mbuluar një territor sa më të gjerë dhe për të ndaluar individë të përfshirë në veprimtari të paligjshme.