
Sondazhet e fundit të publikuara nga Barometri i Euronews Albania për zgjedhjet e 11 majit 2025 në Qarkun e Tiranës kanë sjellë një rezultat që në shikim të parë duket paradoksal dhe jashtë logjikës politike. Sipas projeksionit të mandateve, Partia Socialiste ruan thuajse të njëjtën numër mandatesh si në vitin 2021, ndërsa opozita e bashkuar, megjithë mbledhjen në një listë të vetme dhe situatën tejet të favorshme politike, nuk arrin të rritet.
1. Nga 36 në 37 mandate, por PS nuk lëshohet
Në vitin 2021, Qarku i Tiranës kishte 36 mandate. Me shtimin e popullsisë, ky numër është rritur në 37. Ndërkohë që skandalet e shumta, nga inceneratorët te arrestimet e zyrtarëve të lartë, kanë dominuar ciklin mediatik dhe kanë tronditur themelet e perceptimit publik ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Pavarësisht kësaj, PS projektohet të mbajë 17 deri në 19 mandate, ndonëse në 2021 kishte 18. Në vend që të binte, ka madje edhe skenar ku rritet! Kjo bie ndesh me çdo logjikë elektorale.
2. Opozita e bashkuar në rënie? E paimagjinueshme!
PD dhe LSI kanë garuar në 2021 ndarazi dhe bashkë kanë marrë 17 mandate (PD-AN: 15 + LSI: 2). Sipas Barometrit, koalicioni i bashkuar opozitar (ASHM) tani pritet të ketë 12 deri në 14 mandate, pra një ulje që nuk shpjegohet as me aritmetikë, as me sens politik.
3. Partitë e reja nuk hanë vota nga opozita
Në zgjedhjet e 2025 pritet të marrin mandate parti si PM (Partia e Agron Shehaj) dhe Nisma SHB e Lapaj, por duke qenë se kritikat e tyre janë të orientuara kryesisht ndaj qeverisë, çdo votë e tyre do duhej të gërmonte bazën e PS, jo të opozitës. Megjithatë, Barometri sugjeron sikur këto parti i shkaktojnë humbje opozitës, çka është teorikisht dhe praktikisht e papranueshme.
4. Të pavendosurit? Një mburojë statistikore
Sondazhi pretendon 10% të pavendosur. Ky grup, zakonisht lëviz drejt ndryshimit në rrethana zhgënjimi me pushtetin. Pra, edhe këtu duhet të favorizohej opozita.
5. Pse kjo nuk është matematikë, por manipulim i opinionit?
Kur shkon drejt zgjedhjeve me opozitë të bashkuar, qeveri në krizë imazhi, arrestime të zyrtarëve dhe parti të reja anti-PS që marrin terren, nuk ka asnjë bazë që PS të qëndrojë në vend, e aq më pak të rritet.
Ky sondazh nuk pasqyron realitetin elektoral, por krijon perceptim artificial për të ruajtur epërsi psikologjike të qeverisë në media. Dhe kjo duhet sfiduar me argument dhe fakte.