
Katmandu është kthyer në një skenë lufte civile, teksa protestat e Gjeneratës Z kundër korrupsionit dhe elitës politike kanë marrë një kthesë dramatike. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ministrin e Financave, Bishnu Prasad Paudel, duke u ndjekur, goditur dhe tërhequr zvarrë në mes të rrugës nga protestuesit e zemëruar.
Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pas dorëheqjes së kryeministrit KP Sharma Oli, i cili u detyrua të largohej pas dhunës masive që përfshiu kryeqytetin. Protestuesit dogjën rezidencat e kryeministrit dhe presidentit, ndërsa dhjetëra ndërtesa qeveritare, përfshirë parlamentin dhe kompleksin Singha Durbar, u sulmuan e u vandalizuan.
Kriza politike mori përmasa edhe më të mëdha kur ish-kryeministri Sher Bahadur Deuba dhe bashkëshortja e tij, ministrja e Jashtme Arju Rana Deuba, mbetën të lënduar gjatë një sulmi në rezidencën e tyre. Shkalla e dëmtimeve nuk është bërë ende e ditur.
Bilanci i përleshjeve është tragjik: të paktën 19 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur, ndërsa aeroporti ndërkombëtar i Katmandusë është mbyllur plotësisht. Gen Z, lëvizja që ka ndezur protestat, kërkon shpërndarjen e menjëhershme të parlamentit, zgjedhje të reja dhe ndëshkim për zyrtarët që dhanë urdhrin për hapjen e zjarrit mbi qytetarët.
Ky shpërthim revolte ka tronditur jo vetëm Nepalin, por gjithë rajonin. Pamjet e ministrit të Financave tërhequr zvarrë janë bërë simbol i urrejtjes së brezit të ri ndaj një sistemi të korruptuar që, sipas tyre, ka tradhtuar popullin.
