
Hetimet për masakrën e 8 shtatorit në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja Lushi, ndërsa u plagosën rëndë Erogen Vaso (Brajoviç) dhe kamarierja e lokalit, po hedhin dritë mbi prapaskenat e ngjarjes.
Ragip Gila jo për hakmarrje personale, por i paguar
Fillimisht, 28-vjeçari Ragip Gila pretendoi se atentati ishte pasojë e një konflikti personal me Erogen Vason. Por, sipas burimeve hetimore, kjo pistë është rrëzuar. Grupi hetimor ka dalë në përfundimin se Gila veproi në shërbim të një grupi kriminal, i kontraktuar për të eliminuar Vasos.
Ky zhvillim e zhvendos ngjarjen nga një hakmarrje individuale, në një skemë tipike të atentateve me pagesë, që kanë tronditur Shkodrën vitet e fundit.
Çfarë u gjet gjatë operacionit
Gjatë arrestimit në shtratin e lumit Kir, policia sekuestroi:
- 1 automatik
- 1 pistoletë me fishekë në fole
- 1 maskë
- 1 skafandër
- 1 jelek antiplumb
- 1 shishe me lëndë djegëse
Dyshohet se mjetet ishin përgatitur për atentatin dhe për zhdukjen e provave më pas.
Bashkëpunëtorët dhe depot e armëve
Policia ka shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorë të Gilës: Bajram (Barush) Bregu, krahu i djathtë i Ibrahim Licit, dhe një 17-vjeçar.
Në bazat e tyre kriminale u gjet një arsenal i vërtetë:
- 7 armë zjarri
- Municion luftarak
- 45 kapsolla detonatore
- Një automjet tip Audi me targa të vjedhura
- 5 dronë dhe pajisje shtesë
- 1 laptop dhe 5 aparate fotografike
Këto prova e forcojnë pistën e policisë për një atentat të mirëorganizuar dhe të financuar.
Hetimet në Shkodër
Pas arrestimit të Gilës, policia ushtroi kontrolle në banesat e fisit Lici, kundërshtar i grupit Bajri, duke kërkuar lidhje të mundshme mes palëve. Armët dhe pajisjet e sekuestruara janë dërguar për ekspertizë në laboratorin kriminalistik për të përcaktuar nëse janë përdorur edhe në ngjarje të tjera të rënda.
Ky rast e vendos Shkodrën sërish në epiqendër të luftës mes grupeve rivale, duke nxjerrë në pah lidhjet e ngushta mes krimit të organizuar, atentateve me pagesë dhe bazave kriminale të pajisura me arsenale moderne.
