Nga Tirana në Kukës, Dibër e Fier: “furtunë” në Policinë e Shtetit

0

Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka ndërmarrë një seri lëvizjesh të forta në strukturat drejtuese, duke sinjalizuar një riorganizim të thellë të uniformave blu në të gjithë vendin.

Ndryshimet kanë prekur kryesisht drejtoritë vendore në Tiranë, por edhe qarqe të tjera si Kukësi, Dibra dhe Fieri, duke reflektuar një strategji të re drejtimi që synon rritjen e efikasitetit dhe rifreskimin e strukturave drejtuese.

Një nga lëvizjet më të rëndësishme është ajo e Besmir Dervishit, i cili largohet nga posti i zëvendësdrejtorit në Policinë e Tiranës dhe emërohet shef i Krimeve në Kukës. Në vend të tij në kryeqytet emërohet Oliger Torba, i cili transferohet nga posti i zëvendësdrejtorit në Fier.

Në nivel qendror, drejtimi i Drejtorisë Operacionale i është besuar Alban Dautajt, një figurë me eksperiencë në fushën e sigurisë, i cili më herët drejtonte strukturën e Antiterrorit. Ai zëvendëson Melsi Koçin, për largimin e të cilit nuk janë dhënë shpjegime zyrtare.

Riorganizimi ka përfshirë edhe nivelin e komisariateve. Ermal Kënaçi është larguar nga drejtimi i Komisariatit nr. 2 në Tiranë dhe është transferuar në Kukës, ndërsa Gent Ndoj, ish-drejtor për Hetimin e Krimit Financiar, është dërguar në Dibër.

Ndryshime të rëndësishme janë bërë edhe në strukturat e sigurisë kombëtare. Në krye të Antiterrorit është emëruar Edmond Sula, duke zëvendësuar Dautajn, ndërsa në Tiranë është lëvizur edhe struktura e trafikut. Komandanti i trafikut, Joan Trungu, është transferuar në krye të forcës speciale “Shigjetat”.

Këto lëvizje vijnë pak ditë pasi drejtori Hita largoi nga detyra edhe shefin e Rrugores në Tiranë, Neritan Buzin, i cili është transferuar në Pukë, pa u bërë publike arsyet zyrtare.

Valë transferimesh dhe emërimesh të tilla interpretohen si sinjali i parë i drejtuesit të ri për të vendosur kontroll dhe për të riformatuar zinxhirin komandues në Policinë e Shtetit. Burime brenda strukturave bëjnë me dije se kjo është vetëm faza e parë e ndryshimeve dhe pritet që lëvizjet të vijojnë edhe në nivele të tjera në javët në vijim.

Artikulli i mëparshëmVrasja në Memaliaj, policia: në konflikt u përfshinë 7 persona, dy vëllezër në kërkim
Artikulli i radhësRama në Forumin e Delfit: Rasti Beleri nuk është unik, në paraburgim prej janarit 2025 është edhe kryebashkiaku i Tiranës