Mijëra punonjës dolën në protesta dhe marshime në të gjithë Greqinë për 1 Majin, duke rikthyer në qendër kërkesa që tregojnë pakënaqësi të thellë sociale: paga më të larta, më shumë siguri në punë dhe respektim të të drejtave bazë të punëmarrësve. Përtej ceremonive simbolike, tubimet nxorën në pah përplasjen mes versionit zyrtar të qeverisë dhe asaj që sindikatat e përshkruajnë si presion i përditshëm ekonomik mbi familjet.

Athina, qendra e tubimeve të 1 Majit
Në Athinë, tubimi qendror u zhvillua në sheshin Klafthmonos nga konfederatat e sektorit privat GSEE dhe atij shtetëror ADEDY. Sipas sindikalistëve, kostoja e jetesës, kriza e strehimit dhe mungesa e kontratave kolektive po e rëndojnë gjithnjë e më shumë jetën e punonjësve.
Në një tjetër tubim, të organizuar në sheshin para parlamentit, organizata PAME zhvilloi protestën e saj me tone të forta kundër politikave qeveritare dhe me mesazhe kundër luftës në Lindjen e Mesme. Nga aty u përcoll edhe thirrja për një përmbysje të kursit aktual politik.
Kërkesat kryesore: paga, 8-orëshi dhe kontratat kolektive
Në thelb të protestave ishin disa kërkesa të përsëritura nga sindikatat: rritje reale të pagave, rikthim dhe forcim të kontratave kolektive, respektim i orarit 8-orësh dhe përmirësim i kushteve të punës.
Sipas përfaqësuesve të punonjësve, problemi nuk lidhet vetëm me nivelin nominal të pagës, por me faktin se të ardhurat nuk mbulojnë dot deri në fund të muajit koston e jetesës. Ky është thelbi i presionit që protestuesit po përpiqen të nxjerrin në pah përballë qeverisë.
Protesta edhe në Pire, Selanik dhe qytete të tjera
Në Pire, përfaqësues të punonjësve të porteve theksuan se 1 Maji mbetet simbol i betejës për të drejtat në punë. Ata kërkuan paga të denja, orare të qëndrueshme dhe mbrojtje nga pasiguria në punësim.
Tubime dhe marshime u zhvilluan edhe në Selanik, ku punonjësit u mblodhën pranë Qendrës së Punës dhe marshuan në rrugët e qytetit. Mobilizime pati edhe në qytete të tjera të vendit, me të njëjtin mesazh: beteja për të drejtat sociale nuk konsiderohet e mbyllur.
Qeveria flet për masa, opozita për realitet të papërballueshëm
Në këtë klimë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, përmes një videoje në TikTok, paraqiti versionin e qeverisë, duke deklaruar se administrata e tij përgjigjet “me vepra dhe jo me slogane”. Sipas tij, ndër masat që kanë përmirësuar jetën e punonjësve janë rritja e pagës minimale në 920 euro, ulja e papunësisë dhe zbatimi i kartës dixhitale të punës.
Por ky bilanc po kundërshtohet nga opozita dhe nga sindikatat, të cilat pretendojnë se pagat e ulëta, kostoja e lartë e jetesës dhe mungesa e sigurisë në punë kanë krijuar një realitet ku shumë punonjës nuk përballojnë dot nevojat minimale. Pikërisht kjo hendek mes propagandës zyrtare dhe përvojës së përditshme duket se ushqeu tonin e fortë të protestave të këtij 1 Maji.
Demonstratat e 1 Majit në Greqi treguan se çështja e pagave dhe e kushteve të punës mbetet e hapur, pavarësisht mesazheve optimiste nga qeveria.
Për momentin, presioni në rrugë dhe kritikat e opozitës sugjerojnë se debati për standardin e jetesës së punonjësve në vend nuk do të mbyllet me deklarata festive.
