
PEKIN – Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në Pekin për samitin më të rëndësishëm gjeopolitik të vitit, në një moment kur marrëdhëniet SHBA–Kinë janë të tensionuara nga lufta me Iranin, tarifat tregtare, inteligjenca artificiale, Tajvani dhe kontrolli mbi mineralet kritike.
Takimi me presidentin kinez Xi Jinping vjen pas muajsh përplasjeje ekonomike dhe strategjike, ndërsa të dy liderët kërkojnë të shmangin një përshkallëzim të ri mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Lufta me Iranin, pika më e nxehtë
Një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë lufta Iran-Izrael dhe roli i Kinës në raport me Teheranin.
Washingtoni dyshon se Pekini po ndihmon indirekt Iranin përmes blerjeve masive të naftës dhe mbështetjes diplomatike, ndërsa administrata Trump ka vendosur sanksione ndaj disa kompanive kineze të lidhura me tregtinë iraniane.
Trump ka lënë të kuptohet se SHBA ka kapur edhe anije që dyshohet se transportonin materiale sensitive drejt Iranit, akuza që Kina i ka mohuar kategorikisht.
Në sfond qëndron frika e një krize më të madhe energjetike globale, pasi Kina mbetet blerësi më i madh i naftës iraniane dhe një nga “oksigjenet” ekonomike të regjimit në Teheran.
Lufta tregtare nuk ka mbaruar
Edhe pse të dyja palët ranë dakord për një armëpushim tarifor në tetor, tarifat e ndërsjella vazhdojnë të mbeten aktive.
Administrata Trump po shqyrton masa të reja tregtare kundër Kinës, sidomos pas vendimit të Gjykatës Supreme amerikane që rrëzoi një pjesë të tarifave të mëparshme.
Nga ana tjetër, Kina kërkon stabilitet ekonomik dhe shmangie të një “shkëputjeje” totale me ekonominë amerikane, në një moment kur eksportet kineze po përballen me presion dhe ngadalësim global.
Boeing, soja dhe miliarda dollarë marrëveshje
Samiti pritet të prodhojë edhe marrëveshje të mëdha ekonomike.
Sipas mediave amerikane, Kina mund të njoftojë një porosi historike avionësh nga Boeing, ndërsa në tavolinë janë edhe importet e produkteve bujqësore amerikane, energjia dhe investimet.
Në Washington ekziston bindja se Trump po përdor të njëjtin model që aplikoi ndaj Japonisë dhe Koresë së Jugut: presion tarifor në këmbim të blerjeve masive nga SHBA.
Inteligjenca artificiale dhe lufta për teknologjinë
Një tjetër përplasje strategjike është gara për inteligjencën artificiale.
SHBA akuzon kompanitë kineze se po përdorin teknologji dhe modele amerikane për të zhvilluar AI më të lirë dhe konkurruese, ndërsa Kina kundërshton kufizimet amerikane mbi çipat e avancuar dhe eksportet teknologjike.
Administrata Trump kërkon gjithashtu krijimin e një kanali të drejtpërdrejtë komunikimi me Pekinin për çështjet e AI-së, duke pranuar indirekt se rivaliteti teknologjik po hyn në një fazë të rrezikshme.
Tajvani mbetet “mina” më e madhe
Çështja e Tajvanit vazhdon të mbetet pika më shpërthyese në marrëdhëniet SHBA-Kinë.
Pekini kërkon që Washingtoni të deklarojë zyrtarisht kundërshtimin ndaj pavarësisë së Tajvanit, por administrata Trump nuk pritet të ndryshojë politikën aktuale amerikane.
Megjithatë, vetëm pak ditë para samitit, Trump deklaroi se do të diskutojë me Xi edhe shitjen e armëve amerikane për Taipein — një sinjal që Pekini e konsideron provokim të drejtpërdrejtë.
Në Tajvan ekziston frika reale se ishulli mund të përdoret si “kartë negociuese” në marrëveshjet më të mëdha mes dy superfuqive.
Mineralet kritike: arma e heshtur e Kinës
Një nga avantazhet më të forta strategjike të Kinës mbetet kontrolli mbi mineralet kritike dhe “rare earths”, thelbësore për industrinë ushtarake, bateritë, teknologjinë dhe energjinë e gjelbër.
SHBA kërkon akses më të madh në këto materiale, ndërsa Pekini po përdor eksportet si instrument presioni ekonomik dhe gjeopolitik.
Edhe pse Washingtoni po përpiqet të diversifikojë zinxhirët e furnizimit, ekspertët vlerësojnë se dominimi kinez në këtë sektor nuk mund të zëvendësohet për vite të tëra.
Një samit që mund të ndryshojë balancat globale
Takimi Trump–Xi nuk është thjesht një vizitë diplomatike.
Ai po zhvillohet në një moment kur rendi global po lëkundet nga luftërat, krizat energjetike dhe rivaliteti teknologjik. Përballë një Amerike që kërkon të ruajë dominimin dhe një Kine që kërkon ta sfidojë hapur, Pekini mund të kthehet këtë javë në qendrën reale të politikës botërore.
