
Një situatë e pazakontë dhe me pasoja potencialisht të rënda për një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ku rreth 200 punonjës të kompanisë ndërtuese Mabco Constructions S.A. janë penguar fizikisht të hyjnë në kantier.
Sipas kompanisë së kontrolluar nga biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli, bllokimi është kryer nga persona që veprojnë në emër të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., aktualisht nën administrimin e Vegim Hoxhës, emërimi i të cilit po kontestohet në gjykatë.
Përplasja ka marrë përmasa të forta juridike dhe politike, pasi Mabco pretendon se zotëron 98% të kuotave të kompanisë koncesionare dhe ka financuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte, ndërsa pala tjetër lidhet me aksionerin minoritar Valon Ademi, që sipas tyre kontrollon vetëm 2% të aksioneve.
Punonjësit e sektorëve operacionalë, përfshirë terminalin, ambientet e jashtme dhe zjarrfikësen, janë paraqitur normalisht në punë, por janë ndaluar të futen në territorin e aeroportit. Burime nga terreni flasin për tension dhe konfuzion mes stafit teknik, ndërsa kompania paralajmëron se situata po rrezikon seriozisht përfundimin e punimeve dhe procesin e certifikimit të aeroportit.
Në reagimin zyrtar, Mabco Constructions S.A. e cilëson situatën “plotësisht të paligjshme” dhe “në kufijtë e veprimeve penale”, duke deklaruar se çdo tentativë për të përjashtuar ortakët mazhoritarë nga kantieri përbën shkelje të rëndë të kontratës koncesionare dhe të drejtave të investitorit.
Kompania pretendon se çdo pretendim për “zgjidhje kontrate” është i pavlefshëm juridikisht dhe nuk mund të prodhojë pasoja ndaj investitorit kryesor të projektit. Sipas tyre, një administrator apo një aksioner minoritar nuk mund të marrë kontroll operacional të aeroportit duke përjashtuar palën që ka financuar dhe ndërtuar veprën.
Përfaqësuesit ligjorë të Mabco thonë se kanë njoftuar Prokurorinë e Vlorës, Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për rikthimin e rendit dhe garantimin e aksesit në kantier.
Situata vjen në një moment kritik për Aeroportin e Vlorës, ndërsa afati i deklaruar për përfundimin e punimeve është fundi i muajit maj, me mundësi shtyrjeje deri në gusht. Çdo bllokim i mëtejshëm mund të shtyjë hapjen e aeroportit dhe të prodhojë pasoja financiare e ligjore për shtetin shqiptar, përfshirë rrezikun e arbitrazhit ndërkombëtar.
Burime pranë investitorit e konsiderojnë situatën një precedent të rrezikshëm për klimën e investimeve në Shqipëri.
“Ortaku me 2% po kontrollon de facto aeroportin dhe po pengon kompaninë që ka ndërtuar projektin”, shprehen ata.
Përplasja për Aeroportin e Vlorës ka hyrë tashmë në një fazë ku konflikti mes aksionerëve nuk prek më vetëm interesat private, por një projekt strategjik kombëtar që është promovuar prej vitesh si porta e re turistike e jugut të Shqipërisë.
