Sherr për një ndeshje kalçetoje, 26-vjeçari vritet me armë zjarri në Kamëz

0

Një konflikt i nisur për motive të dobëta gjatë një ndeshjeje kalçetoje ka përfunduar tragjikisht në Kamëz, ku një 26-vjeçar humbi jetën pas plagosjes me armë zjarri.

Viktima është identifikuar si Ardian Baloshi, i cili u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, i riu nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Sipas informacioneve paraprake, konflikti mes palëve kishte nisur fillimisht gjatë një aktiviteti sportiv në kalçeto, për t’u përshkallëzuar më pas në përdorimin e armës së zjarrit.

Menjëherë pas ngjarjes, policia nisi hetimet dhe identifikoi autorin e dyshuar. Burime zyrtare bëjnë me dije se bëhet fjalë për Sadik Llanajn, i cili është shpallur në kërkim.

Forcat e policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë operacionin për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërsa grupi hetimor po punon për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Vrasja e të riut ka rikthyer shqetësimin për përdorimin e armëve të zjarrit në konflikte të çastit, ku debate që nisin për motive banale përfundojnë me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve.

Artikulli i mëparshëmKurti fitoi zgjedhjet, por Kosova mbetet pa shumicë