Kryeministri Edi Rama përdori ceremoninë e fluturimit të parë Tiranë-Toronto për të shtyrë edhe një herë narrativën e qeverisë për turizmin e nivelit të lartë. Sipas versionit të tij, Shqipërisë i duhen më shumë resorte të luksit dhe më shumë aeroporte, ndërsa problemet me projektin e Vlorës nuk lidhen me shtetin, por me kompaninë.

Gara për aeroportin e Gjirokastrës, sipas qeverisë në fazën finale
Rama njoftoi se qeveria është në përgatitjet e fundit për të çelur garën për aeroportin e Gjirokastrës. Sipas tij, ai parashikohet të jetë një aeroport turistik dhe kryesisht sezonal, ndryshe nga Tirana dhe Vlora.
Në të njëjtën linjë, kreu i qeverisë tha se nuk ka arsye që të hiqet dorë nga zhvillimi i mëtejshëm i aeroportit të Kukësit, edhe pse marrëveshjet me linjat ajrore, sipas tij, mbeten çështje private mes kompanive dhe aeroportit.
Qeveria orienton fokusin te turizmi i pasur
Në fjalën e tij, Rama argumentoi se rritja e turizmit masiv nuk përkthehet automatikisht në të ardhura në të njëjtin ritëm. Sipas tij, numri i madh i vizitorëve rrit presionin mbi trafikun, pastrimin, mbetjet, furnizimin me ujë, kanalizimet dhe mjedisin.
Pikërisht mbi këtë arsyetim, ai mbrojti idenë se vendi duhet të hyjë në një fazë tjetër zhvillimi, me fokus te turizmi i gamës së lartë dhe konsumatori me fuqi më të madhe shpenzuese. Rama pretendoi se resortet e luksit sjellin më shumë të ardhura për komunitetin, biznesin dhe buxhetin e shtetit.
Vonesat në aeroportin e Vlorës, përgjegjësia i faturohet kompanisë
Për projektin e aeroportit të Vlorës, Rama tha se vonesat nuk kanë ardhur për shkak të shtetit dhe as për shkak të ndonjë fatkeqësie natyrore. Sipas tij, problemi lidhet me shkaqe të brendshme të kompanisë.
Ai shtoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë hapat e duhur dhe se objektivi i qeverisë mbetet hapja e aeroportit. Megjithatë, nga deklarata nuk u dhanë detaje të tjera konkrete për afatet e reja apo për pasojat e këtyre vonesave.
Rritja e fluturimeve dhe pretendimi për më shumë akses
Rama tha se Shqipëria duhet të zgjerojë më tej sistemin e aviacionit civil për t'iu përgjigjur projeksioneve për rritjen e pasagjerëve dhe fluturimeve në dekadën e ardhshme.
Ai pretendoi gjithashtu se, nga 6.5% e shqiptarëve që kishin akses në aviacion kur qeveria e tij mori detyrën, sot kjo shifër ka arritur në afro 40%. Sipas tij, kjo lidhet me hapjen e konkurrencës pas mbylljes së koncesionit të mëparshëm dhe me rritjen e të ardhurave të qytetarëve.
Deklaratat u bënë në ceremoninë inauguruese të linjës së parë Tiranë-Toronto, ku Rama zgjodhi të flasë jo vetëm për aviacionin, por edhe për modelin e turizmit që qeveria synon të promovojë.
Përtej optimizmit zyrtar, mbetet për t’u parë se si do të përkthehen këto projekte në transparencë, afate të mbajtura dhe përfitime reale publike, sidomos kur një pjesë e zhvillimeve po justifikohen me formula të përgjithshme dhe pa shumë hollësi operative.
