
Mesa duket, prioritetet kanë ndryshuar.
10 mijë llogari në Google meritojnë konferencë për shtyp.
Një vajzë 10-vjeçare e përplasur në vijat e bardha pret ende përgjigje.
Sipas denoncimit të publikuar nga familja, një 17-vjeçar pa leje drejtimi dyshohet se e përplasi të miturën dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Nëna pretendon gjithashtu se rasti u trajtua me neglizhencë dhe se pati përpjekje për ta minimizuar atë. Këto janë pretendime që u takon institucioneve t’i verifikojnë.
Por pyetja mbetet.
Çfarë e shqetëson më shumë shtetin?
Një review me një yll?
Apo një fëmijë që, sipas familjes, përfundoi në sallën e operacionit?
Kur Policia del para kamerave për të folur për komentet në internet, qytetari pret të njëjtin vendosmëri edhe për ngjarje si kjo. Pret të dijë si është e mundur që një i mitur, nëse vërtet nuk kishte leje drejtimi, ishte në timonin e një automjeti. Pret të dijë nëse janë ndjekur të gjitha procedurat. Pret përgjigje, jo heshtje.
Sepse besimi nuk ndërtohet me konferenca.
Ndërtohet me hetime.
Nëse denoncimi i nënës është i pasaktë, institucionet duhet ta thonë me fakte.
Nëse është i saktë, atëherë publiku ka të drejtë të dijë pse një rast kaq i rëndë nuk mori të njëjtën vëmendje që morën komentet në Google.
Në fund mbetet vetëm një pyetje.
Në cilën anë është përqendruar sot lupa e shtetit?
Te yjet e hoteleve.
Apo te fëmijët që kalojnë në vijat e bardha?
