Policia Kthehet Kundër Qytetarëve? Kur Një Review Negativ Trajtohet Si Kërcënim Për Shtetin

0

Nëse konfirmohet mënyra se si po prezantohet kjo çështje nga Policia e Shtetit, atëherë Shqipëria po hyn në një territor thellësisht shqetësues për lirinë e shprehjes dhe raportin mes qytetarit dhe shtetit.

Deklarata e drejtorit të Policisë së Shtetit se po verifikohen mbi 10 mijë llogari për shkak të komenteve dhe vlerësimeve negative ndaj bizneseve turistike ngre pyetje shumë më të mëdha sesa vetë fenomeni i “review-ve”.

Në një ekonomi tregu, reputacioni ndërtohet nga klientët. Një hotel, restorant apo resort mund të marrë pesë yje ose një yll. Mund të marrë lavdërime ose kritika. Pikërisht kjo është arsyeja pse ekzistojnë platformat e vlerësimit.

Nëse ekziston një rrjet i organizuar me llogari të rreme për të manipuluar tregun, kjo duhet hetuar sipas ligjit. Por krejt tjetër është krijimi i perceptimit se çdo qytetar që jep një vlerësim negativ mund të përfundojë nën lupën e Policisë.

Një deklaratë e tillë krijon efekt frikësues (“chilling effect”), duke i bërë qytetarët të mendojnë dy herë përpara se të shprehin një eksperiencë negative.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujton se për vite me radhë institucionet kanë promovuar ekonominë digjitale, transparencën dhe fuqinë e konsumatorit për të zgjedhur përmes komenteve online. Sot, i njëjti mekanizëm paraqitet si një kërcënim për interesin ekonomik të vendit.

Pyetja që lind është e thjeshtë:

Kur një review negativ pushon së qeni mendim dhe kthehet në objekt hetimi?

Në një shtet demokratik, Policia heton vepra penale, jo opinione. Nëse ka prova për mashtrim, shantazh, sulme kibernetike apo koordinim kriminal, ato duhet të paraqiten dhe të hetohen sipas procedurave ligjore. Por kriminalizimi në bllok i komenteve negative krijon një precedent që prek drejtpërdrejt lirinë e shprehjes dhe të drejtën e konsumatorit.

Një turist që ka pasur një eksperiencë të keqe duhet të jetë i lirë ta tregojë. Një qytetar që mendon se një shërbim nuk ishte në nivel duhet të jetë i lirë ta vlerësojë. Kjo është mënyra se si funksionon konkurrenca e ndershme.

Shqipëria nuk ndërton imazhin e saj duke hetuar kritikat. E ndërton duke përmirësuar shërbimet, duke garantuar konkurrencë të drejtë dhe duke mbrojtur të drejtat e qytetarëve.

Sepse demokracia nuk matet nga numri i review-ve me pesë yje, por nga aftësia për të toleruar edhe ato me një yll.

Artikulli i mëparshëmBerisha on Zvërnec protests: Democratic Party will not lead them, but backs opposition to the government
Artikulli i radhësIrani kërcënon me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, nafta rritet sërish