Tirana dhe Elbasani vijojnë të dalin si dy nga pikat më problematike për ndotjen e ajrit në vend, me nivele të grimcave PM10 mbi kufijtë e lejuar. Të dhënat e publikuara në Raportin për Gjendjen e Mjedisit 2025 e lidhin barrën kryesore me trafikun e rënduar, një problem i kahershëm urban që institucionet e pranojnë në letra, por që në terren mbetet i pazgjidhur.

Tirana, pluhuri mbi normë dhe përkeqësim në një nga stacionet kryesore
Sipas raportit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, monitorimi i cilësisë së ajrit në Tiranë për vitin 2025 është kryer në dy stacione: “Tirana Higjena” dhe “Tirana Mobile”. Në stacionin “Tirana Higjena”, niveli i PM10 arriti në 57.66 μg/m³, ose 44% mbi normën vjetore të lejuar.
Po në këtë stacion u regjistruan 33 ditë me tejkalim të normës ditore, nga 35 ditë gjithsej të lejuara në vit. Raporti e lidh këtë ndotje kryesisht me trafikun e rënduar në zonë dhe nënvizon se për vitin 2025 ka përkeqësim krahasuar me 2023 dhe 2024.
Ozon, NO2 dhe CO: disa përmirësime në letër, por jo pa sinjale alarmi
Të dy stacionet në Tiranë regjistruan tejkalime të normës 8-orëshe të ozonit. Vlera më e lartë në “Tirana Higjena” ishte 125.5 μg/m³ më 19 gusht 2025, ndërsa në “Tirana Mobile” arriti në 133.8 μg/m³ më 15 gusht. Megjithatë, sipas raportit, niveli i ozonit paraqet përmirësim në krahasim me periudhën 2023-2024.
Për dioksidin e azotit, në stacionin “Tirana Higjena” janë konstatuar tejkalime ose nivele shumë pranë kufirit. Edhe këtu raportohet përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme. Ndërsa për monoksidin e karbonit, “Tirana Mobile” paraqet përmirësim, por “Tirana Higjena” shënon përkeqësim ndaj vitit 2024.
Sa i takon dioksidit të squfurit, raporti e paraqet situatën si të mirë në “Tirana Higjena”, ndërsa për “Tirana Mobile” vlerat më të larta të këtij treguesi janë regjistruar në vitet 2019 dhe 2025. Për benzenin nuk ka pasur tejkalim të normës vjetore në periudhën korrik-dhjetor 2025, por të dhënat tregojnë sërish përkeqësim krahasuar me vitet e kaluara.
Zhurma në kryeqytet, tejkalim në të 15 pikat e matjes
Përtej ajrit, raporti evidenton se Tirana ka pasur nivelin më të lartë të zhurmave mes qyteteve të monitoruara. Matjet janë kryer në 15 stacione dhe në të gjitha pikat janë shënuar tejkalime të normave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si ditën ashtu edhe natën.
Mesatarja e nivelit të zhurmës gjatë ditës në kryeqytet ishte 63.07 dB(A), ndërsa gjatë natës 53.05 dB(A). Pika më problematike rezultoi zona te “Farmacia 10”, ku niveli i zhurmës ditën arriti në 64.73 dB(A), ndërsa natën në 56.23 dB(A). Edhe pika me nivelin më të ulët të zhurmës, si “Stadiumi Dinamo”, “Selvia” dhe “Pallati i Kongreseve”, mbetën sërish mbi normat e rekomanduara.
Elbasani me tejkalime të forta të PM10 dhe i vetmi me NO2 mbi kufi
Në Elbasan, të dhënat e raportit tregojnë gjithashtu tejkalim të normës vjetore për PM10 gjatë periudhës korrik-dhjetor 2025. Vlera e monitoruar arriti në 59.72 μg/m³, ose 49% mbi kufirin e lejuar. Sipas raportit, kjo përfaqëson përkeqësim krahasuar me vitet 2020 dhe 2023.
Versioni zyrtar e lidh shkakun kryesor me trafikun e rënduar rrugor, duke theksuar se stacioni i monitorimit ndodhet pranë akseve me fluks. Por raporti sjell edhe një tjetër element për qytetin: gjatë vitit 2025 në Elbasan ka ushtruar aktivitet rafineria e përpunimit të naftës bruto “RBH Beline” sh.a.
Për dioksidin e azotit, Elbasani rezulton i vetmi stacion në shkallë vendi me tejkalim të vlerës limite vjetore gjatë gjysmës së dytë të vitit, me 40.18 μg/m³. Edhe ky tregues paraqet përkeqësim krahasuar me vitet 2019-2024. Ndërsa për SO2 dhe CO nuk raportohen tejkalime të normës, megjithëse për CO evidentohet tendencë përkeqësuese ndaj vitit 2024. Për benzenin nuk ka tejkalim të normës vjetore, por edhe këtu raporti shënon rritje në krahasim me vitet e mëparshme.
Pamja që del nga raporti nuk lë shumë vend për qetësi: në dy qytete të mëdha, ndotja nga pluhuri i imët vazhdon të kalojë kufijtë, ndërsa zhurma në Tiranë mbetet jashtë standardeve në çdo pikë të monitoruar.
Kur institucionet e identifikojnë prej vitesh trafikun si burimin kryesor, pyetja nuk është më vetëm çfarë po ndodh me ajrin, por pse masat për ta frenuar këtë gjendje vazhdojnë të mos japin rezultat të dukshëm.
