Nafta dhe benzina që hidhen në treg pritet të futen nën një regjim të ri kontrolli, pasi qeveria ka miratuar shënjimin e detyrueshëm të karburanteve. Sipas versionit zyrtar, masa synon gjurmueshmërinë në gjithë zinxhirin e furnizimit dhe goditjen e evazionit, por ajo sjell edhe një kosto të re të drejtpërdrejtë për kompanitë e sektorit.

Çfarë parashikon vendimi
Vendimi i miratuar nga qeveria përcakton që çdo litër naftë dhe benzinë të ketë një gjurmë të padukshme, e cila do të shërbejë për identifikimin dhe ndjekjen e produktit në treg.
Sipas Ministrisë së Financave, sistemi i quajtur “Fuel Integrity Solution” do të mundësojë monitorimin, kontrollin dhe gjurmueshmërinë e karburanteve në çdo hallkë të furnizimit. Institucioni thotë se të dhënat do të jenë pronë e shtetit dhe e autoritetit doganor.
Tarifa e re për kompanitë
Zbatimi i shërbimit nuk do të jetë pa kosto për operatorët. Dokumenti parashikon një tarifë prej 6.5 euro pa TVSH për çdo 1000 litra karburant të shënjuar.
Kjo do të paguhet nga subjektet që importojnë ose tregtojnë karburante, duke shtuar një element të ri financiar në një treg që prek drejtpërdrejt çmimet dhe zinxhirin e furnizimit.
Kush e ofron shërbimin
Komponenti teknik dhe operativ i sistemit do të kryhet nga shoqëria ALBTrace CO sh.a., e angazhuar nga qeveria për këtë proces.
Sipas përcaktimeve zyrtare, kompania do të merret me pajisjet dhe instrumentet përkatëse, testet në terren, testet konfirmuese dhe mbështetjen e proceseve të monitorimit, nën mbikëqyrjen e administratës doganore.
Ndalime dhe afatet e zbatimit
Projektvendimi ndalon importimin, tregtimin, transportimin apo magazinimin e karburanteve që nuk janë shënjuar sipas procedurave të reja. Çdo ngarkesë, pas procesit të shënjimit, do të pajiset me certifikatë.
Administrata doganore do të ketë rol në monitorimet dhe kontrollet në terren për verifikimin e zbatimit. Regjimi i ri pritet të hyjë në fuqi pas një periudhe implementimi deri në gjashtë muaj. Pas kësaj faze, karburantet që përfshihen në skemë nuk do të mund të hidhen në treg pa kaluar procesin e detyrueshëm të shënjimit dhe monitorimit.
Qeveria e paraqet ndërhyrjen si mjet kundër informalitetit dhe për kontroll më të fortë të tregut të karburanteve. Mbetet për t’u parë se si do të funksionojë në praktikë skema e re, çfarë ndikimi do të ketë te kostot e operatorëve dhe sa transparencë do të ketë mbi administrimin e saj.
