Procesi paralel në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe katër personave të tjerë po hyn në një moment kyç. Dhomat e Specializuara kanë caktuar mesin e shtatorit për deklaratat përmbyllëse në çështjen ku ata akuzohen për pengim të drejtësisë, një dosje që lidhet drejtpërdrejt me gjyqin kryesor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Datat e seancave përfundimtare
Sipas njoftimit të gjykatës, seancat për shpalosjen e deklaratave përmbyllëse do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.
Në këtë çështje, përveç ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, të pandehur janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Për çfarë akuzohen të pandehurit
Sipas aktakuzës, ata dyshohet se mes prillit dhe nëntorit 2023 kanë ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët në procesin për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si edhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut është ngritur nga një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe nga një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës. Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ku ndodhet procesi gjyqësor
Gjykimi ndaj tyre nisi më 27 shkurt. Më 13 mars, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.
Në dosjen kryesore për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, aktgjykimi është caktuar të shpallet më 16 shtator.
Sipas prokurorëve, katër ish-krerët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Të katërt i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Një proces i kontestuar në Kosovë
Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionon me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Ky proces ka hasur kundërshtime të vazhdueshme në Kosovë, ku është parë nga shumëkush si i njëanshëm, për shkak se nuk trajton krimet e kryera nga forcat serbe në territorin e Kosovës.
Në muajt e fundit janë parë pankarta dhe pllakate me mesazhin “Liria ka emër”, ndërsa në Prishtinë dhe në qytete të tjera janë mbajtur protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Prishtinë.
Në çështjen kryesore, prokurorët kanë kërkuar që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.
Gjatë procesit, mbi 130 dëshmitarë kanë dëshmuar, ndërsa 160 deklarata të tjera janë pranuar me shkrim. Të akuzuarit në çështjen kryesore ndodhen në paraburgim në Hagë që prej arrestimit të tyre në vitin 2020.
