Shqipëria vijon të përballet me një bilanc të lartë zjarresh aktive, ndërsa versioni zyrtar flet për 13 vatra që mbeten problematike në disa qarqe të vendit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 17:00 janë regjistruar 23 vatra, nga të cilat 13 aktive dhe 2 nën monitorim, me ndërhyrje nga toka dhe ajri.

Bilanci i ditës dhe angazhimi në terren
Sipas njoftimit zyrtar, në operacionet e ditës janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje janë vendosur edhe 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Institucionet paraqesin një operacion të koordinuar në disa fronte njëherësh, por harta e vatrave aktive tregon se situata mbetet e shpërndarë dhe me presion të lartë mbi strukturat vendore të emergjencës.
Dajti dhe Gurë-Lura, pikat me angazhimin më të madh
Në malin e Dajtit vijon operacioni në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Sipas autoriteteve, në terren po punojnë forcat operacionale të mbështetura nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa pretendohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Një nga vatrat me angazhimin më të madh mbetet ajo në Gurë-Lurë të Dibrës. Aty janë hapur korridore me fadroma për të frenuar përparimin e flakëve drejt banesave. Në operacion janë përfshirë 150 forca bashkiake, 20 punonjës policie, 11 të ADZM-së, 15 të MZSH-së dhe 50 efektivë të FA-së, të mbështetur edhe nga 2 avionë Air Tractor. Sipërfaqja e djegur përllogaritet rreth 200 hektarë pyll pishe.
Vatra aktive në Dibër, Krujë, Mirditë dhe Pukë
Në Qafë Helmes, në kufirin Dibër-Bulqizë, operacioni po vijon me 11 efektivë të MZSH-së, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Sipas raportimit zyrtar, zjarri është fikur nga krahu i fshatit Bulqizë, por mbetet aktiv në drejtim të Selishtës.
Në Abaze të Krujës, vatra vijon aktive me intensitet të ulët, ndërsa në Zidoll zjarri mbahet në monitorim. Në Lufaj të Mirditës po punohet për shuarjen e flakëve dhe hapjen e korridoreve ndarëse, ndërsa në Fushë-Lajë të Pukës terreni i thyer po e vështirëson ndërhyrjen.
Gjirokastra, Vlora dhe Librazhdi në listën e zonave me zjarr
Në qarkun e Gjirokastrës aktive raportohen vatra në Sotirë, Dropull, Bregun e Lejlekut, Libohovë dhe në Krahës të Memaliajt. Strukturat zjarrfikëse ndodhen në terren, ndërsa autoritetet thonë se nuk ka raportime për rrezik ndaj zonave të banuara.
Edhe në Vlorë mbeten aktive vatra në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik. Sipas versionit zyrtar, në Gjormë zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa në dy zonat e tjera puna për shuarjen vijon. Në Dardhë të Librazhdit po operojnë MZSH-ja, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake.
Autoritetet këmbëngulin se në pjesën më të madhe të vatrave aktive nuk ka rrezik për banesat, por shtrirja e zjarreve në disa qarqe dhe përdorimi i mjeteve ajrore tregojnë se situata mbetet serioze.
Sipas strukturave të emergjencave civile, koordinimi po kryhet nga AKMC përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.
