Një tjetër sinjal alarmi për sigurinë ushqimore dhe kontrollin e eksporteve bujqësore nga Shqipëria. Në Kroaci është asgjësuar një ngarkesë me 14.7 tonë speca të kuq nga Fieri, pasi analizat kanë nxjerrë prani të lartë të një fungicidi që, për këtë produkt, nuk duhet të ishte fare prezent.

Çfarë gjetën analizat
Sipas të dhënave të sistemit RASFF, ngarkesa shqiptare rezultoi me prani të lëndës aktive proquinazid në nivelin 0.050 mg/kg.
Për specat, niveli i lejuar i kësaj substance është zero. Pas këtij rezultati, autoritetet kroate vendosën groposjen e 147 kuintalëve, ose 14 tonë e 700 kilogramëve produkt.
Substanca lejohet në treg, por jo për këtë kulturë
Proquinazidi figuron në listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe tregtohet në Shqipëri me emrin Talendo, me vlefshmëri regjistrimi deri në fund të vitit 2028.
Megjithatë, sipas informacionit të publikuar, kjo lëndë nuk lejohet të përdoret në perime. Ajo është e autorizuar për kulturat e rrushit, kryesisht kundër sëmundjeve kërpudhore si myku pluhur. Kjo e bën edhe më problematik faktin që përfundoi në një produkt që doli për treg.
Dyshime për përdorim të gabuar dhe kontroll të dobët
Prania e proquinazidit në speca ngre dyshime se në kultivim mund të jetë përdorur një preparat i destinuar për vreshta, jo për perime.
Pikëpyetjet nuk bien vetëm mbi fermerin, por edhe mbi zinxhirin e këshillimit dhe kontrollit, nga agronomët deri te strukturat inspektuese. Kur një ngarkesë e tillë arrin deri në eksport dhe bllokohet jashtë vendit, problemi nuk duket i kufizuar vetëm te parcela.
Nuk është rasti i parë
Vetëm pak ditë më parë, më 7 shtator, një tjetër sasi specash me origjinë nga Shqipëria u asgjësua në Kroaci pasi analizat zbuluan nivel të lartë të pesticidit acetamiprid.
Në atë rast, produkti kishte kaluar përmes një tregtari maqedonas që kishte blerë specat nga fermeri shqiptar dhe tentoi t’i rieksportonte drejt Kroacisë. Sipas informacionit të disponueshëm, tregtari nuk kishte dijeni për nivelin e pesticideve, ndërsa shkelja u zbulua nga kontrollorët kroatë të ushqimit.
Presion i ri mbi institucionet
Dy raste në një hark të shkurtër kohor shtojnë presionin mbi institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore dhe mbikëqyrjen e produkteve bujqësore në Shqipëri.
Për ministri i bujqesise dhe strukturat vartëse, çështja nuk mbyllet me faktin që ngarkesat u kapën jashtë vendit. Thelbi i problemit mbetet pse kontrollet nuk funksionuan para se produkti të dilte në treg dhe të ekspozohej si eksport shqiptar.
Rastet e përsëritura me speca të bllokuar në Kroaci po kthehen në një provë serioze për besueshmërinë e kontrollit ushqimor në vend.
Në një kohë kur debati për standardet, eksportet dhe përgjegjësinë institucionale mbetet i hapur, rasti ngre pyetje të drejtpërdrejta edhe për drejtimin politik të sektorit, nga ministri i bujqesise te hallkat teknike që duhet të parandalojnë skandale të tilla.
