Kryeqyteti kaloi një pasdite dhe mbrëmje me tension të lartë, ku protesta degjeneroi në dhunë të hapur, dëme materiale dhe ndërhyrje të përsëritura të policisë. Sipas raportimeve nga terreni, u sulmuan godina shtetërore, banka, biznese private dhe hapësira publike, ndërsa policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Nga Ministria e Arsimit te Rruga e Durrësit
Një nga pikat e para të përplasjes ishte Ministria e Arsimit, ku godina u godit me gurë dhe flakë. Në zonë u panë të rinj me fytyra të mbuluara që shkulën kangjella anës trotuareve, i grumbulluan përpara institucionit dhe vijuan goditjet ndaj godinës.
Tensionet më pas u zhvendosën në Rrugën e Durrësit, ndërsa lëvizja e protestuesve nga një pikë në tjetrën e bëri të vështirë kontrollin e situatës për orë të tëra.
Objektiva të shumta: institucione, banka dhe biznese
Protestuesit goditën disa biznese private dhe, sipas raportimeve, një bankë private e nivelit të dytë u dogj dhe u shkatërrua. Në Sheshin “Skënderbej” pati zjarrvënie të stolave dhe kazanëve të mbeturinave, duke shtuar dëmet në hapësirat publike të qytetit.
Një tjetër vatër e rëndë ishte te Ministria e Ekonomisë, ku protestuesit hynë në katin e parë, shkulën dyer, thyen xhama dhe nxorën orendi jashtë. Sulme pati edhe ndaj Ministrisë së Brendshme, ku u raportuan xhama të thyer dhe dëmtime në godinë.
Piramida, Kryeministria dhe godinat pranë Kuvendit
Dëme të konsiderueshme u raportuan edhe te Piramida e Tiranës, ku u thyen xhama dhe u shkatërruan pjesë të ambienteve, ndërsa në të njëjtën zonë u sulmua edhe një tjetër bankë private. Protestuesit vijuan më pas drejt Kryeministrisë, ku iu vu flaka pemëve në hyrjen anësore të godinës.
Më tej, protesta u zhvendos te ndërtesa ku ndodhen Kryesia e Kuvendit dhe Gjykata Kushtetuese. Sipas raportimeve, pati tentativë për të hyrë në godinë, ndërsa u dëmtuan dhe u dogjën edhe biznese në katet e para të dy godinave të njohura si “Kullat Binjake”.
Sulme edhe ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe qendrës tregtare
Në vijim të lëvizjes në qendër të Tiranës, u sulmua edhe Ministria e Drejtësisë. Në këtë godinë u raportuan xhama të thyer dhe zjarr në katin e parë.
Një grup tjetër protestuesish theu xhamat e një qendre tregtare pranë Kalasë së Tiranës. Policia ndërhyri në disa prej pikave më të nxehta me autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Komisariati nr. 2, automjet i djegur dhe efektivë të lënduar
Tensione pati edhe pranë komisariatit nr. 2, ku u dogj një automjet policie. Sipas versionit zyrtar, dy efektivë policie mbetën të lënduar gjatë incidenteve.
Dëmtime u raportuan edhe në Rrugën e Elbasanit dhe te Zogu i Zi, ku u shkatërruan rrethime dhe sinjalistikë rrugore. Rreth orës 22:00, protesta u shpërnda, pas disa orësh përplasje që e kthyen Tiranën në një hartë episodesh të njëpasnjëshme dhune dhe dëmesh materiale.
Bilanci i plotë i dëmeve dhe numri i personave të shoqëruar apo arrestuar mbetet për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ajo që doli qartë nga zhvillimet në terren ishte një dështim i rëndë për të mbajtur nën kontroll përshkallëzimin e situatës në zemër të kryeqytetit.
