Maratona e Tiranës të dielën, bllokime dhe devijime në akset kryesore nga ora 08:00 deri 16:00

0

Të dielën, Tirana hyn sërish në regjim kufizimesh të forta të qarkullimit për shkak të Maratonës së Tiranës. Sipas njoftimit zyrtar të Bashkisë dhe Policisë, nga ora 08:00 deri në 16:00 do të ketë bllokime dhe devijime në një pjesë të madhe të akseve kryesore, ndërsa disa linja urbane do të pezullohen ose do të ndryshojnë itinerar.

Maratona e Tiranës të dielën, bllokime dhe devijime në akset kryesore nga ora 08:00 deri 16:00

Nga qendra te Unaza e Mesme, lista e akseve të prekura

Sipas planit të publikuar nga autoritetet vendore, kufizimet do të shtrihen nga sheshi “Nënë Tereza” përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më tej në një seri rrugësh e bulevaresh që lidhin qendrën me disa nga nyjet më të ngarkuara të kryeqytetit.

Në hartën e akseve të prekura përfshihen, mes të tjerash, rruga “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”, “George W. Bush”, “Urani Pano”, “Ismail Ndroqi”, “Abdi Toptani”, bulevardi “Zog I”, “Bulevardi i Ri”, rruga “Ded Gjo Luli”, rruga e “Durrësit”, rruga e “Kavajës”, “Myslym Shyri”, si edhe segmente të bulevardeve “Zhan D’Ark”, “Bajram Curri”, “Gjergj Fishta”, “Ibrahim Rugova” dhe “Lek Dukagjini”.

Drejtime të detyruara në disa kryqëzime kyçe

Përtej bllokimeve të drejtpërdrejta, versioni zyrtar parashikon edhe drejtime të detyruara lëvizjeje në një sërë kryqëzimesh, çka pritet të rëndojë më tej qarkullimin në oraret e paradites dhe të mesditës.

Masat prekin edhe segmente të Unazës së Mesme, rrugët “Luigj Gurakuqi”, “Dibrës”, “Barrikadave”, “Mine Peza”, “Vaso Pasha” dhe “Abdyl Frashëri”. Drejtime të detyruara janë njoftuar edhe në nyje si rruga e “Elbasanit” me bulevardin “Zhan D’Ark”, kryqëzimi i rrugës së “Dibrës”, “21 Dhjetori”, “Vasil Shanto”, si edhe lidhjet me rrugët “Pjetër Bogdani”, “Adem Jashari” dhe “Ibrahim Rugova”.

Çfarë ndodh me urbanët

Ndryshimet nuk prekin vetëm automjetet private. Edhe transporti urban do të funksionojë me devijime dhe pezullime të pjesshme, duke krijuar vështirësi shtesë për qytetarët që lëvizin të dielën në Tiranë.

Sipas njoftimit, linjat 1/A dhe 1/B pezullohen përkohësisht. Linja 2 devijon te sheshi “Willson”, linja 3 te “21 Dhjetori” dhe sheshi “Karl Topia”, ndërsa linja 4 po ashtu devijon te sheshi “Karl Topia”. Linjat 5/A dhe 10/A devijojnë te ura e rrugës së “Elbasanit”, 5/B te sheshi “Karl Topia”, ndërsa linja 6 në bulevardin “Zogu I”.

Linja 8 devijon te rruga e “Elbasanit” dhe rrethrrotullimi “Qyteti Studenti”, linja 9 pezullohet përkohësisht, ndërsa linja 11 po ashtu pezullohet. Linjat 12/A dhe 12/B devijohen drejt “21 Dhjetorit”, urës “Vasil Shanto” dhe pallateve me shigjeta, me pjesë të tjera të itinerarit të pezulluara. Edhe linjat 13, 15 dhe 16 preken nga ndryshimet, ku 16-a pezullohet përkohësisht.

Ndalim edhe për disa kategori mjetesh

Përveç kufizimeve në rrugët ku kalon aktiviteti, autoritetet kanë njoftuar se më 15 nëntor 2026, nga ora 08:00 deri në 16:00, ndalohet qarkullimi i automjeteve për transport të përzier, teknologjike dhe transport pasagjerësh brenda unazës së madhe, me përjashtim të mjeteve të transportit urban qytetas.

Në praktikë, kjo do të thotë se lëvizja në Tiranë do të jetë e kushtëzuar në një territor të gjerë të qytetit, jo vetëm në segmentet ku zhvillohet maratona. Për qytetarët, kjo përkthehet në nevojë për planifikim paraprak të itinerarit dhe kohës së lëvizjes.

Maratona e Tiranës zhvillon këtë vit edicionin e saj të dhjetë, por përtej aspektit sportiv, fundjava sjell edhe një test të zakonshëm për menaxhimin e trafikut në kryeqytet.

Qytetarët që kanë lëvizje të planifikuara në qendër dhe në akset lidhëse të dielën do të përballen me devijime të shumta, pezullime linjash dhe kufizime që prekin një pjesë të madhe të rrjetit rrugor.

Artikulli i mëparshëmNë Bruksel shqyrtohen sot tre kapituj të negociatave me Shqipërinë