Besart Xhaferri ka njoftuar largimin nga drejtimi i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, duke mbyllur një mandat katërvjeçar në krye të strukturës rinore të selisë blu. Sipas njoftimit të bërë prej tij në rrjetet sociale, drejtimi i përkohshëm i forumit i kalon Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja, ndërsa nis edhe një proces i ri riorganizimi në shkallë kombëtare.

Kalimi i drejtimit te Bathorja
Sipas versionit të bërë publik nga vetë Xhaferri, Bathorja do të marrë drejtimin tranzicional të FRPD-së dhe do të koordinojë procesin e ripërtëritjes së strukturave rinore në të gjithë vendin.
Në njoftim thuhet se grupi i punës i ngritur nga forumi do të merret me riorganizimin nga degët lokale deri te zgjedhja e Kryetarit Kombëtar, Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe departamenteve.
Njoftimi vjen si vendim politik i shpallur ne rrjete sociale
Largimi i Xhaferrit nuk u komunikua përmes një vendimmarrjeje të detajuar institucionale të bërë publike, por përmes një postimi personal, ku ai e paraqiti ndryshimin si hapje të një etape të re për forumin.
Në të njëjtin reagim, ai i uroi sukses Bathorjes dhe grupit të punës, duke shprehur bindjen se procesi do të jetë gjithëpërfshirës dhe demokratik. Deri tani, detaje të tjera mbi afatet, kriteret apo mënyrën konkrete të organizimit nuk janë bërë të ditura.
Bilanci politik qe Xhaferri paraqet per mandatin
Në mesazhin e tij, Xhaferri e cilësoi drejtimin e FRPD-së si një nga përvojat më të rëndësishme të angazhimit të tij politik, duke kujtuar se rrugëtimi i tij në forum ka nisur që në vitin 2006 dhe është rikthyer më pas pas studimeve jashtë vendit.
Ai falënderoi drejtuesit e Partisë Demokratike, përfshirë Sali Berishën, Flamur Nokën dhe ish-drejtues të forumit, për mbështetjen gjatë katër viteve në krye të të rinjve demokratë.
Theksi te protestat dhe mobilizimi i te rinjve
Një pjesë e madhe e deklaratës së Xhaferrit iu kushtua rolit të të rinjve në protestat, fushatat elektorale dhe aktivitetet politike të PD-së. Sipas tij, FRPD ka qenë një nga strukturat më aktive në terren, sidomos në periudhat më të vështira për partinë.
Ai renditi edhe një numër të madh bashkëpunëtorësh dhe aktivistësh, ndërsa theksoi se të rinjtë kanë mbajtur peshë të rëndësishme në organizimin politik të forumit gjatë mandatit të tij.
FRPD hyn ne faze riorganizimi
Me largimin e Xhaferrit, forumi rinor i PD-së hyn në një fazë tranzicioni që pritet të çojë në zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese.
Përtej toneve entuziaste të deklaratës politike, mbetet për t’u parë si do të zhvillohet procesi i riorganizimit, sa realisht do të jetë i hapur dhe nëse do të prodhojë një garë të plotë për drejtimin e forumit.
Xhaferri e mbylli mesazhin e tij duke theksuar se largohet nga drejtimi, por jo nga angazhimi politik në Partinë Demokratike.
Ndryshimi në krye të FRPD-së vjen në një moment kur strukturat rinore të partive po përdoren gjithnjë e më shumë si tregues i ekuilibrave të brendshëm politikë, jo thjesht si organizata mobilizuese.
