Kopertina e Vogue Italia është thjesht një faqe e bardhë

0

Dyqanet janë mbyllur, setet fotografike janë anulluar dhe punonjësit janë dërguar në shtëpi. E ardhmja e industrisë së modës nuk tingëllon më aq e ndritur. Në ditë më të mira, revistat e modës shesin fantazi dhe argëtim. Por si duhet të duken tani?

Ka vetëm një përgjigje: një faqe e bardhë bosh, që është dhe kopertina e muajit Prill për Vogue Italia.
Teksa virusi vijon të rrënojë Italinë, revista nuk mund të sillet sikur asgjë nuk po ndodh.

“Të flasësh për gjëra të tjera – kur ndërkohë po vdesin njerëz, kur mjekë dhe infermierë po rrezikojnë jetët dhe kur bota po ndryshon – nuk është në ADN e Vogue Italia,” shkroi kryeredaktori Emanuele Farneti.

Farneti kishte tre synime për këtë numër: të imagjinonte jetën pas pandemisë pa mëshiruar veten, të bënte bashkë një grup artistësh të bllokuar në shtëpi për të imagjinuar këtë botë të re, dhe të printonte një kopertinë të bardhë për herë të parë në historinë e revistës.

Vogue Italia zgjodhi të bardhën si simbolin e një të ardhmeje shpresëplotë. E bardha është ngjyra e uniformave të mjekëve dhe infermierëve që rrezikojnë jetën çdo ditë për të shpëtuar të tjerët dhe një kanavacë boshe ku mund të krijosh çfarë të duash.

“Mbi të gjitha: e bardha nuk përfaqëson dorëzimin, por një faqe bosh që pret të shkruhet, kopertina e një historie të re që do të nisë.”/ The Cut

Artikulli i mëparshëmJa kush dhuroi çerekun e pasurisë së tij për të luftuar koronavirusin
Artikulli i radhësKryeministri Rama: Këto janë kategoritë e reja që përfitojnë “pagën e luftës”